TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Qershor 2026, 13:46

Dosja "Partizani", Genc Ruli në GJKKO: Albert Xhanit ia thashë në 2005-ën që klubi do shkonte te pronarët

Shkruar nga Pamfleti
Dosja "Partizani", Genc Ruli në GJKKO: Albert Xhanit ia
Berisha me dhëndrin e tij, Malltezi

Ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, dëshmoi në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në procesin gjyqësor që lidhet me dosjen “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Në deklarimet e tij, Ruli u ndal te funksionimi i institucioneve shtetërore në periudhën kur u trajtua çështja e pronës, duke sqaruar rolin e Ministrisë së Ekonomisë, marrëdhëniet me Ministrinë e Mbrojtjes dhe procedurat e ndjekura për privatizimin e pronave shtetërore.

Sipas tij, ministria që drejtonte kishte një rol kryesisht mbikëqyrës dhe përgatitor në proceset e privatizimit. Ai tha se në atë periudhë qeveria e dalë nga zgjedhjet e vitit 2005 kishte si objektiv mbrojtjen e interesave të ish-pronarëve, duke u njohur atyre të drejtën e parablerjes për pronat në pronësi të shtetit.

Ruli deklaroi se kishte dijeni që prona për të cilën po zhvillohej procesi ishte pronë private. Ai tha se në zyrën e tij kishte pritur persona të interesuar për çështjen, me qëllim dëgjimin e pretendimeve dhe qëndrimeve të tyre.

Gjatë dëshmisë, ai përmendi edhe kontaktet me Albert Xhanin, ish-drejtues i klubit sportiv Partizani. Ruli tregoi se kishte zhvilluar disa biseda me të lidhur me të ardhmen e procesit.

Sipas tij, në dy raste i kishte bërë të ditur Xhanit se procedurat do të përfundonin në favor të ish-pronarëve. Po ashtu, ai kishte shprehur bindjen se edhe ata që synonin të merrnin pronën do ta përdornin atë për zhvillim ndërtimor.

Ruli tha se personat e përfshirë në çështje i kishte takuar në zyrën e tij, ndërsa komunikimet zyrtare ishin zhvilluar vetëm me ministrin e Mbrojtjes. Ai shtoi se në fazat e para nuk kishte dëgjuar emra konkretë individësh të lidhur me pronën, por vetëm emrin e klubit sportiv Partizani.

Në vijim të dëshmisë, ish-ministri shpjegoi hapat e ndërmarrë nga Ministria e Ekonomisë pas marrjes së detyrës. Ai tha se në tetor të vitit 2005 kishte dërguar një shkresë ministrive të linjës, duke kërkuar inventarizimin e pronave shtetërore dhe verifikimin nëse për to ekzistonin pretendime apo kërkesa nga ish-pronarët.

Sipas Rulit, Ministria e Mbrojtjes ishte ndër institucionet që reagoi më shpejt ndaj kësaj kërkese. Ai veçoi faktin se ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kishte kthyer përgjigje për pronat që ndodheshin jashtë planit të përhapjes së ushtrisë.

Prokurorët e SPAK-ut e pyetën dëshmitarin edhe për diferencën kohore mes kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe përgjigjes së Ministrisë së Ekonomisë. Sipas të dhënave të paraqitura në seancë, kërkesa ishte bërë në nëntor të vitit 2005, ndërsa përgjigjja nga Ministria e Ekonomisë ishte dërguar në vitin 2007.

Për këtë çështje, Ruli argumentoi se administrata shtetërore dhe legjislacioni i kohës funksiononin me ritme më të ngadalta se sot. Ai tha se proceset kërkonin kohë dhe se institucionet përballeshin me vështirësi të shumta organizative dhe ligjore.

Sipas tij, në kushtet e asaj periudhe, një afat prej shtatë deri në tetë muajsh për kthimin e përgjigjeve konsiderohej i shpejtë. Ruli theksoi se nuk ishte e mundur që problemet ligjore dhe administrative të zgjidheshin brenda një kohe të shkurtër.

Në dëshminë e tij, ai foli edhe për rolin e Bashkisë së Tiranës. Ish-ministri deklaroi se kishte marrë dijeni nga dokumentacioni zyrtar se bashkia kishte kryer ndryshimin e destinacionit të pronës që lidhet me këtë çështje.

Ruli pranoi gjithashtu se bashkëpunimi mes institucioneve shtetërore nuk ishte gjithmonë i lehtë. Ai tha se proceset e privatizimit zgjateshin për shkak të numrit të madh të agjencive dhe institucioneve që duhej të jepnin mendime, miratime ose dokumentacion.

Për të shmangur vonesat dhe për të përshpejtuar procedurat, ai kujtoi se kishte propozuar caktimin e punonjësve të posaçëm pranë institucioneve të përfshira në këto procese. Sipas tij, kjo do të ndihmonte në koordinimin më të shpejtë të veprimeve administrative dhe në reduktimin e kohës së nevojshme për përfundimin e privatizimeve.

Gjatë deklarimeve të tij, Ruli tha se Shqipëria ka trashëguar prej dekadash vështirësi në administrimin e pronave shtetërore. Sipas tij, edhe sot një pjesë e konsiderueshme e pronave publike nuk janë të regjistruara, ndërsa në periudhën kur ai mbante detyrën e ministrit vetëm një numër i kufizuar zotëronin certifikata pronësie.

Në lidhje me verifikimet e kryera nga administrata, ai sqaroi se ministri nuk merrej personalisht me kontrollet në terren dhe për këtë arsye nuk mund të jepte garanci të drejtpërdrejta mbi çdo rast. Megjithatë, shtoi se kishte besim te stafi profesional që merrej me këto procese. Ruli deklaroi gjithashtu se ekspertët kontabël përzgjidheshin nga organizata e tyre profesionale.

Sipas ish-ministrit, roli i Ministrisë së Ekonomisë ishte kryesisht të përcillte orientimin politik të programit qeveritar. Ai theksoi se procedurat nuk niseshin me iniciativën e kësaj ministrie, por mbi propozimet që vinin nga institucionet që administronin pronat përkatëse.

Duke folur për rastin e ish-kompleksit “Partizani”, Ruli argumentoi se procedurat u zhvilluan me ritme më të shpejta për shkak të gjendjes së objektit, i cili sipas tij ishte dëmtuar dhe degraduar ndër vite.

Ai rikujtoi gjithashtu periudhën e fillimit të tranzicionit, kur shteti zotëronte të gjithë fondin e pronave publike dhe paralelisht përballej me kërkesat për kthimin e pronave dhe dëmshpërblimin e ish-pronarëve e të përndjekurve politikë. Në këtë kontekst, Ruli tha se procesi nuk mund të bllokohej, por mund të kufizohej përmes afateve të caktuara.

Në dëshmi u trajtua edhe çështja e letrave me vlerë të përdorura për dëmshpërblime. Ruli deklaroi se vlera e tyre u rrit deri në vitin 2006, ndonëse procesi u ndërpre pas vitit 1997. Ai kujtoi se fillimisht kishte mbështetur përdorimin e bonove të thesarit për të gjithë skemën e pagesave, por më pas u arrit një formulë që parashikonte 20 për qind pagesë në para dhe 80 për qind në bono thesari.

Sipas tij, kjo zgjidhje erdhi edhe për shkak të nevojës së buxhetit të shtetit për likuiditete, një qasje që ai tha se e kuptonte më mirë pasi më vonë mbajti edhe postin e ministrit të Financave.

Në fund të dëshmisë, Ruli u pyet edhe për njohjet e tij me disa nga personat e përfshirë në dosje. Ai deklaroi se Sali Berishën e njeh që nga fundi i vitit 1990, ndërsa Jamarbër Malltezin tha se e ka njohur si pjesëmarrës në lëvizjen studentore të dhjetorit. Për Xhimi Begejën u shpreh se e njeh prej vitesh si banor të Tiranës, ndërsa Andia Pustinën e kujton si ish-punonjëse në një ministri. 

Dëshmia

Ruli: Kam qenë ministër i ekonomisë në vitin 2005. Ka rol në supervizionimin e proceseve të privatizimit. ME është përgatitësja e dokumentacionit.  Ne si politikanë o bindemi edhe një programi qeveritar. PD kishte marrë detyrimin se gjatë proceseve të privatizimit do të shiheshin ngushtësisht interesat e ish-pronarëve. Patëm synimin t’i japim një prevalencë parablerjeje ish-pronarëve. Për rastin "Partizani" bëhej fjalë për një pronë të madhe, e njohur pronarëve. Ju ishte njohur e drejta e parablerjes. Ata po shihnin ishte se privatizimi po bëhej, por pa marrë parasysh interesa të ish-pronarëve. Ka ardhur një përfaqësuese e tyre e më ka takuar në 2006-2008 bëmë një sërë ndryshimesh aktesh ligjore e nënligjore. Jam takuar me ish- pronarët, por edhe me pronarët e subjekteve private.

Pronari i klubit në atë kohë, Albert Xhani, 2 herë i kam thënë, e di që e ke nisur procedurën me qeverinë e mëparshme, por kjo do shkojë në favor të ish-pronarëve. Madje i kam thënë, që edhe po t’i merrni ju, parcela ndërtimesh do përfundojnë, ashtu si kanë përfunduar shumë terrene të tjera sportive. Uria urbane ishte e madhe nga institucionet e pushtetit vendor. Në shkresat e kohës përmendej vetëm "Klubi sportiv partizani", veç në emër.

Se çfarë ishte e kam marrë vesh më vonë, pasi jam interesuar pas takimeve me ish-pronarët, apo dhe nga pronari provat. Në tetor të 2005 unë u kam bërë një letër ministrive që të na sjellin një inventarë të pronave që kemi si shtet dhe po ashtu edhe letra nëse kanë pasur interes nga pronarët për t\i marrë ato prona. Mediu ka qenë ndër të parët që është përgjigjur, për sa i përket pronave që ishin jashtë planit të përhapjes.

Një nga gjërat që e pengonte privatizimin ishte moria e udhëzimeve. Një përgjigje Mediut ja kam kthyer pas 7 muajve. Nga media sot kam mësuar se bashkia kishte përparuar ndërkohë, kishte ndryshuar destinacionin.

Duke parë problemet e privatizimit, bashkëpunimi mes agjencive, aktorëve të ndryshëm, i kam kërkuar qeverisë, që në çdo ministri që kishte prona për privatizim, të emërohej nga një person përgjegjës.

SPAK: Logjika e privatizimit ka qenë për struktura që e kishin ndërprerë akrivitetin. Po në rastin e klubeve Partizani?

Ruli: Nuk me kujtohet. Ne nuk ishim kreu i kishës në procesin e privatizimit. Verifikimet i bënin ministritë përkatëse. Ne i besonim dosjes së përcjellë. Shteti shqiptar nuk i ka të regjistruara as sot pronat e veta. Në ujërat historike që jetuam ATP 20 vjet, kishim kohë të merreshim me këtë histori!

Ministria e dha edhe si sinjal politik nxitjen e procesit të privatizimit. Më pas duhet të vinte propozimi nga ministritë përkatëse që zotëronin pasuri. Pas saj Ministria e Ekonomisë shqyrtonte dokumentacionin e sjellë nga ministritë. Më pas bënim verifikim tek AMTP. Më pas kishim një komision vlerësimi, që bënte vlerësimin e çmimit.

Ekspertët kontabël, të licensuar, një përfaqësia nga Ministria Ekonomisë dhe një nga ministria e linjës që kishte propozuar privatizim.

SPAK: Ka ndodhur një ndryshim i ligjit për sportin, ku thuhej se objektet sportive nuk mund të privatizoheshin, por mund të jepeshin me koncension, me kusht që të mos ndryshojë desrinacioni.

Ruli: Ajo është bërë vonë. Duhet të bëhej që në 1995.

SPAK: Meqënëse miratimi i privatizimit është bërë në 2008, ndërkohë që ligji e kishte të ndaluar privatizimin e terreneve sportive, referuar ligjit, a mund ta bënit?

Ruli: Hallkë penguese nuk bënë. Është veç hallkë komplikuese. Në atë rast do ja jepnim me koncesion ish-pronarëve. /Pamfleti/

 

ruli gjkko partizani

2 Komente

  1. F
    Feti Dema

    Grup i strukturuar kriminal Grup i strukturuar kriminal ........Grup i strukturuar krimial = Organizatë e strukturuar kriminale. Pasojat: kriminalizimi i shtetit dhe shpopullimi i Shqipërisë. SPAK duhet të rregjistrojë proçedim penal . Këta nuk janë personazhe që kanë dijeni për një çështje, por janë nona e çështjes penale në bashkëpunim. Ndaj Z.Ruli dhe të përfshirëve të tjerë duhet të fillojë hetim pasuror.

    1. T
      Tony

      I think that all what happened in Albania was coordinated by our outsiders wolfs with the help of Albanians puppies, to grab who could any slice. Of course we still are suffering the consequences of troublemaker Enver Hoxha. Do not forget people the story of troublemaker with the rope loop around the neck.

      Lini një Përgjigje