
Policia ka dhënë detaje zyrtare lidhur me plagosjen me armë zjarri të ndodhur në Kamëz, ku humbi jetën 26-vjeçari Ardian Baloshi.
Sipas njoftimit, rreth orës 11:25 është marrë informacion se i riu ishte transportuar në spital pa shenja jete. Nga veprimet e para hetimore rezulton se Baloshi është qëlluar me armë zjarri në rrugën “Dervish Luzha”, në Kamëz, pas një konflikti për motive të dobëta.
Viktima u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Burime paraprake bëjnë me dije se konflikti që përfundoi në tragjedi dyshohet të ketë nisur pas një sherri gjatë një loje kalçetoje. Ndërkohë, në polici është shoqëruar dëshmitari okular Amarildo Vukaj, i cili po merret në pyetje për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes.
Policia ka identifikuar si autor të dyshuar 39-vjeçarin S. Ll. dhe ka ngritur pika kontrolli në akset kryesore rrugore, ndërsa forca të shumta janë angazhuar në terren për kapjen e tij.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e të gjitha rrethanave që çuan në vrasjen e të riut.
“Tiranë. Sot, rreth orës 11:25, është marrë njoftim se në spital është transportuar pa shenja jete shtetasi A. B., rreth 27 vjeç.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para hetimore. Nga provat e administruara deri në këto momente, dyshohet se shtetasi A. B, është qëlluar me armë zjarri në rrugën “Dervish Luzha”, në Kamëz, pas një konflikti për motive të dobëta.
Si autor i dyshuar i ngjarjes është identifikuar shtetasi S. Ll., rreth 39 vjeç. Menjëherë janë ngritur pika kontrolli në akset kryesore rrugore, janë angazhuar forca të shtuara policore në terren dhe po zhvillohen kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë ligjore.
Sqarojmë se nuk ka shtetas të tjerë të dëmtuar nga kjo ngjarje. Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për kapjen e autorit dhe do t’ju informojmë në vijim për çdo gjë që lidhet me këtë ngjarje”, njofton policia.
Lini një Përgjigje