Pas intervistës së Ervin Salianjit në 'TV News 24', kryetari i PD-së sulmoi grupin mediatik të Irfan Hysenbelliut, por harroi të përmendë televizionet e të birit dhe të Bashkim Ulajt; të cilët kanë marrë leje kullash, tenderë miliardësh dhe pasuri publike nga qeveritë Berisha dhe Rama, ndërsa predikojnë luftë kundër korrupsionit...
Ishte lëvizja e Ervin Salianjit që e detyroi Sali Berishën të hiqte maskën e "dashnorit të lirisë së mediave" dhe të shfaqej siç ka qenë dhe është në të vërtetë: armik i mediave që nuk i shërbejnë.
Prej disa ditësh, në listën e mediave armike, Sali Berisha ka shtuar grupin mediatik në pronësi të Irfan Hysenbelliut, duke e quajtur "grup mafioz", ngaqë "TV News 24" dhe "Balkan Web" intervistuan Ervin Salianjin dhe transmetuan kronika nga takimet e tij me demokratët në zona.
Pas reagimit të stafit mediatik dhe disa organizatave të lirisë së mediave, kryetari i PD-së, Sali Berisha e drodhi gjuhën, duke thënë se nuk janë mafiozë gazetarët, por pronarët e mediave.
Sali Berisha tha se pronarët e mediave janë mafiozët më të rrezikshëm kundër fjalës së lirë, sepse marrin leje për kulla, dhjetëra milionë euro tenderë për rrugë, kanë marrë pasuri publike, janë bërë koncesionarë dhe investitorë strategjikë.
Prej 3 dekadash i lidhur në interesa e favore me mediat që i bëjnë fresk, dhe në konflikt personal me mediat kritike, Sali Berisha i njeh mirë marrëdhëniet e interesave shef pushtet-pronar mediash, disa të financuara, krijuara e fuqizuara prej tij si media klane mafioze.
Gjersa Sali Berisha i quajti "mafiozë" pronarët e mediave, po bëjmë një pyetje: - A janë mafiozë Shkëlzen Berisha e Bashkim Ulaj, pronarë të televizioneve "Syri" dhe "A2 CNN"?
Pas largimit të Sali Berishës nga pushteti, i biri Shkëlzen Berisha hapi televizionin e tij privat, vënë hapur në shërbim të PD-së, që përfaqëson dhe mbështet interesat politike e ekonomike të familjes "Berisha" dhe të një klani mafioz pranë tij.
Mafiozët nuk kanë "brirë", por janë klane, familje individësh që përfitojnë miliarda e pasuri nga shteti kur kanë pushtetin; dhe që krijojnë lidhje e bashkëpunim të nëndheshëm me kupolën e pushtetit kundërshtar kur janë në opozitë dhe vazhdojnë përfitimet personale.
A është mafioz Shkëlzen Berisha, që përdor televizionin e tij "Syri", si gjoja media e lirë kundër pushtetit të korruptuar të Edi Ramës, dhe si megafon i politikës personale të babait kryetar të PD-së?
Sepse Sali Berisha i quajti "mafiozë kundër fjalës së lirë" pronarët e mediave që marrin leje për kulla, tenderë, pasuri, koncesione dhe leje si investitorë strategjikë dhe kufizojnë lirinë e fjalës.
Dhe Shkëlzen Berisha, në ekranin e televizionit të tij, predikon liri fjale dhe luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar, ndërsa prapa ekranit, merr nga Edi Rama leje ndërtimi kullash, troje e toka për resorte, komplekse vilash dhe mban të forta lidhjet me grupet e krimit.
Madje gjatë pushtetit të babait kryeministër, ka historinë e përfshirjes në grupin mafioz CEZ-DIA, të PPP-së së Ngjyrosjes së Karburanteve, Lotarisë Kombëtare; biznesit të përgjakur në Gërdec; pazaret me tokat dhe lejet e ndërtimit në Tiranë, Durrës e bregdet; ortakërinë familjare me Rezart Taçin në ARMO, në kullat e kompleksit "Partizani" dhe 10 firmat "lavatriçe" me Damir Fazlliç.
Zoti Berisha!
A është mafioz oligarku Bashkim Ulaj, pronar i televizionit "A2 CNN"?
Sepse edhe Bashkim Ulaj, gjatë pushtetit tënd, ka marrë rreth 2 miliardë euro tenderë, PPP, pasuri, leje ndërtimi, qindra hektarë tokë për gurore dhe nxirrte rërë e zhavorr pa leje në lumenj.
Prej 20 vitesh, Bashkim Ulaj jep pjesë fitimi te familja jote; të ka dhuruar apartamente e zyra luksoze te kullat e tij; të ka mobiluar vilën në Lalëz; ka financuar dhe financon pagat e administratës së PD-së dhe protestat e kongreset.
Por edhe gjatë 13 viteve pushtet të PS-së, Bashkim Ulaj ka marrë leje për kulla, hotele, resorte, miliona euro tenderë dhe koncesionin 1.3 miliardë euro për rrugën me pagesë Thumanë- Kashar; në pazare me Edi Ramën dhe si këmbim për propagandën në televizionin "A2 CNN"./Pamfleti
AVNI RUSTEMI