TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 7 Maj 2026, 10:21

Dosja 'Xhafaj' në sirtar që nga qershori 2022; si vëllai i ish-ministrit të Drejtësisë Fatmir Xhafaj, vijon të jetë i paprekshëm

Shkruar nga Pamfleti
Dosja 'Xhafaj' në sirtar që nga qershori 2022; si
Geron dhe Fatmir Xhafaj /

Prokuroria e Vlorës sekuestroi 12 milionë euro pasuri të tre trafikantëve, por për Agron Xhafajn;  i dënuar me 7.2 vite burg në Itali, nuk ka lëvizur asnjë hetim që prej 4 vitesh. Ndërsa vëllai i tij, Fatmir Xhafaj, ndryshoi ligjin për të bllokuar arrestimin e të dënuarve jashtë Shqipërisë, dosja mbahet e bllokuar në Vlorë...

Në datat 3 dhe 19 nëntor dhe 4 dhjetor 2025, Prokuroria e Vlorës njoftoi sekuestrimin e rreth 12 milionë euro pasuri, të 3 personave të dënuar për trafik droge, mbështetur në vendimet gjyqësore të drejtësisë së vendeve të BE-së dhe drejtësisë shqiptare.

Prej vitit 2022, Prokuroria e Vlorës ka përfunduar hetimin dhe procesin e sekuestrimit pasuror të 11 personave të dënuar me vendime të formës së prerë për trafiqe dhe për familjarët e tyre, siç e përcakton ligji.

Në listën e personave të dënuar për trafik droge, që u duhen hetuar dhe sekuestruar pasuritë, Prokuroria e Vlorës ka dhe shtetasin Geron Xhafaj alias Agron Xhafaj, i dënuar me 7.2 vite burg në Itali për grup të strukturuar trafikimi droge.

Por prej muajit qershor 2022, Prokuroria e Vlorës po mban të bllokuar hetimin pasuror për trafikantin Agron Xhafaj dhe për familjarët e tij, mes të cilëve i vëllai Fatmir Xhafaj, bashkëshortja, dy vajzat dhe dhëndri i tij.

Bllokimi i dosjes së hetim-sekuestrimit pasuror është dukshëm shkelje e ligjit dhe paprekshmëri e trafikantit të dënuar Agron Xhafaj, ngaqë ai është vëllai i deputetit dhe ish-ministrit të Drejtësisë e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, edhe ky subjekt i hetimit pasuror bashkë me të.

Për këtë trafikant të dënuar, drejtuesit e Prokurorisë së Vlorës në 4 vitet e fundit, kohë që kanë në sirtar dosjen "Xhafaj", nuk kanë kryer asnjë veprim hetimor, duke e mbajtur të bllokuar sikur ajo nuk ekziston.

Megjithëse në dosjen e tij është dhe Vendimi Nr. 2232/2012 i Gjykatës së Lartë të Italisë, që ka lënë në fuqi dënimin e trafikantit Geron Xhafaj alias Agron Xhafaj, me 7.2 vite burg dhe sekuestrimin e tij pasuror.

Ligji "Anti-Mafie" në Shqipëri përcakton që hetimi pasuror u bëhet dhe familjarëve të të dënuarit për trafiqe, ku përfshihet trungu familjar dhe lidhjet e afërta të krushqive; por Prokuroria e Vlorës nuk po heton as pasuritë e Agron Xhafajt.

Nuk ka dyshim se mosveprimi i shefave të Prokurorisë së Vlorës ka si motiv lidhjet personale dhe interesat me Fatmir Xhafajn, madje dhe ndikimin e tij si "tutori" i sistemit të drejtësisë.

Prej 18 vitesh pas dënimit, ai bënte biznes dhe ishte i lirë e nuk prekej, sepse i vëllai Fatmir Xhafaj, që bënte reformën në drejtësi dhe ishte ministër Drejtësie e ministër i Brendshëm, kishte mundur të bllokonte kërkesë-arrestin e dërguar nga Italia.

Kur ishte kryetar i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj bëri një ndryshim në Pikën "f" të Nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale, me të cilin ndalonte arrestimin dhe ekstradimin e trafikantëve të dënuar jashtë Shqipërisë, d.m.th., të vëllait Agron Xhafaj.

Bllokimi i hetimit pasuror dhe sekuestrimit të Agron Xhafajt e familjarëve të tij nuk është i vetmi favorizim, por linjë e gjithë sistemit qendror të drejtësisë në Shqipëri.

Në vitin 2018, kur mos arrestimi i Agron Xhafajt u bë çështje e luftës politike, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve deklaruan se ai nuk figuronte i dënuar; ndërsa në mesin e vitit 2021, SPAK vazhdoi lojën, duke ia dërguar dosjen Prokurorisë së Vlorës për ta sjellë vërdallë e të bllokuar./Pamfleti

geron xhafaj fatmir xhafaj

Lini një Përgjigje