TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Dhjetor 2023, 16:04

SHBA e shqetësuar për lirimin e agresorit të gazetarit Gjergj Zefi

Shkruar nga Pamfleti
SHBA e shqetësuar për lirimin e agresorit të gazetarit Gjergj
Ambasada Amerikane dhe gjyqtarja Armela Hasantari /

Akti i Armela Hasantarit nuk është vendim, por qartazi një përqafim i fortë me krimin, që i jep kurajo cilitdo horri që preket nga kritikat e medias, për të sulmuar gazetarët...

Vendimi skandaloz i gjyqtares Armela Hasantari për të liruar agresorin e gazetarit Gjergj Zefi, ka hasur në reagime të forta si në opinionin e brendshëm edhe në atë ndërkombëtar.

Pas dënimit nga ana e komunitetit të gazetarëve shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë të vendimit të gjykatës, për këtë çështje janë interesuar edhe diplomacia Perëndimore.

Për këtë çështje, përfaqësues të rëndësishëm të SHBA por edhe kancelarive të tjera të rëndësishme, janë informuar nga botuesi i Pamfletit Gjergj Zefi, me situatën aktuale, kryesisht pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë Tiranë.

Vendimi i çuditshëm i gjyqtares Armela Hasantari për të lënë me detyrim paraqitje agresorin Renato Boduri, për të cilin Prokuroria kërkoi arrest me burg, është jo thjesht flagrant, por edhe një precedent i rëndë.

Pasi kemi të bëjmë me një nga ngjarjet më të rënda penale siç është sulmi e dhuna fizike ndaj një gazetari në krye të detyrës. I cili u godit dhe u la pa ndjenja, pikërisht pranë redaksisë së Pamfletit.

Sot jemi në dhjetor, e prej 3 tetorit kur ka ndodhur ngjarja kriminale, policia dhe prokuroria kanë bërë hetimet e tyre, dhe agresori ka qenë i lirë, edhe pse në kërkim.

Në përfundim të hetimeve, prokuroria ka mbledhur prova materiale të pakontenstueshme siç është makina, me të cilin është kryer atentati, ndërkohë që po vijojnë hetimet për autorët e tjerë të dhunës, e posaçërisht për urdhërdhënësin.

Nxjerrja në liri e njërit prej autororëve të agresionit nga gjyqtarja, Armela Hasantari, krijon të gjitha mundësitë për të prishur hetimet, si dhe ngre një precedent të rëndë për të inkurajuar dhunuesit e mediave në vend.

Ndaj alarmi i organizatave të mediave dhe opinionit ndërkombëtar ka qenë i menjëhershëm.

Gazetari Gjergj Zefi ka komunikuar me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, dhe i ka shprehur mbështetjen e palëkundur për drejtësinë në vend, ndërkohë që ka treguar të gjithë rrjedhën e ngjarjeve që nga tetori.

‘Pamfleti’ ka qenë nga mediat e para në Shqipëri që ka mbështetur pa asnjë rezervë reformën në drejtësi dhe instalimin e një sistemi të ri ligjor në vend. Megjithatë, kjo drejtësi e re, duhet të provojë se nuk vepron e ndikuar direkt apo tangent me politikën apo segmente të krimit në vend.

Vetingu është një instrument i rëndësishëm i përzgjedhjes së njerëzve të drejtësisë së re, por ai nuk është një “carte blanche” e përjetshme. Të gjithë prokurorët e gjyqtarët, të cilët kanë kaluar provën fillestare për të qenë pjesë e drejtësisë së re, duhet të tregojnë me prova se japin drejtësi, e jo të rikthehemi në gropat e errëta të së kaluarës. Siç ka vepruar gjyqtarja Armela Hasantari, me vendimin e saj të palogjikshëm të lirimit të një agresori barbar ndaj një gazetari në Shqipëri.

Për këtë ngjarje, juristë të njohur po përgatisin një dosje të plotë e të argumentuar që do ta paraqesin pranë OSBE-së, Bashkimit Europian, por edhe organizatave të mbrojtjes së gazetarëve dhe të drejtave të Njeriut, duke nisur nga Amnesty International.

Ky akt i Armela Hasantarit nuk është vendim, por qartazi një përqafim i fortë me krimin, që i jep kurajo çfarëdo horri që preket nga kritikat e medias, për të sulmuar gazetarët.

Kjo dosje e plotë do t’i bëhet e ditur edhe publikut, natyrisht pas konsultimeve të vazhdueshme me organizatat e mbrojtjes së gazetarëve dhe ato ndërkombëtare. / Pamfleti

Lini një Përgjigje