Kandidati i presidentit Donald Trump për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, gjenerali në pension Eric Wendt, ka vlerësuar rëndësinë strategjike të Porto Romanos, duke e konsideruar atë një pikë kyçe për interesat e NATO-s dhe investimet amerikane në rajon.
Gjatë dëshmisë para Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë në Senatin amerikan, Wendt foli për bashkëpunimin ushtarak me Shqipërinë dhe rëndësinë që infrastruktura shqiptare mund të ketë për aleancën atlantike në të ardhmen.
“Porto Romano është një nga portet kyçe në Shqipëri. Nëse në të ardhmen do të ketë një terminal të sigurt ngarkesash dhe një infrastrukturë të përshtatshme, ai mund të shërbejë si një pikë shumë e rëndësishme për NATO-n. Përmes korridorit pan-evropian numër 8, pajisjet ushtarake mund të lëvizin lirshëm dhe kjo do të ishte shumë e dobishme si për aleancën, ashtu edhe për bizneset amerikane që mund të përfshihen në zhvillimin e portit dhe infrastrukturës”, deklaroi Wendt.
Gjenerali amerikan theksoi se Shqipëria ka treguar angazhim në kuadër të NATO-s, duke përmbushur objektivin e shpenzimeve ushtarake dhe duke investuar në kapacitete të reja mbrojtëse.
“Shqipëria ka përmbushur objektivin e NATO-s për 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen dhe tashmë është angazhuar edhe për objektivin e ri prej 5%. Kam bindjen se ka shumë mundësi bashkëpunimi që do të forcojnë aleancën tonë dhe do të ndihmojnë modernizimin e kapaciteteve ushtarake dhe infrastrukturore shqiptare”, u shpreh ai.
Wendt vlerësoi gjithashtu forcat shqiptare, duke kujtuar eksperiencat e tij me ushtarakët shqiptarë në Afganistan dhe në strukturat speciale të NATO-s.
“Shqiptarët që kam njohur në Afganistan dhe gjatë drejtimit të forcave speciale të NATO-s kanë guxim dhe profesionalizëm. Ata janë ushtarakë të mirë dhe partnerë të besueshëm për aleancën”, tha kandidati për ambasador.
Ai shtoi se, nëse konfirmohet në detyrë, fillimisht do të zhvillojë një analizë të plotë të situatës në terren përpara se të ndërmarrë hapa konkretë në drejtimin e ambasadës amerikane në Tiranë.
“Kam mësuar gjatë eksperiencës sime se nuk mund ta kuptosh realisht një vend apo situatë pa parë vetë nga afër çfarë ndodh në terren. Fillimisht dua të dëgjoj dhe të kuptoj situatën përpara se të marr vendime”, deklaroi Wendt para senatorëve amerikanë.
Lini një Përgjigje