TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Maj 2026, 15:35

"Bregdeti mbetet plagë nga ndërtimet pa leje", Sula: Zero tolerancë ndaj shkeljeve, monitorim 24 orë subjekteve

Shkruar nga Pamfleti
"Bregdeti mbetet plagë nga ndërtimet pa leje", Sula: Zero
Dashnor Sula

Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, zhvilloi një takim me operatorët e inspektorateve rajonale në Vlorë, qytet që sipas tij ka një rol strategjik për mënyrën e funksionimit të strukturave inspektuese, sidomos gjatë sezonit turistik.

Në deklaratën për mediat, Sula foli për reformimin e sistemit të inspektorateve dhe krijimin e një strukture të posaçme, ku përfshihet edhe ideja për bashkimin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit me inspektoratet vendore. Ai pranoi se ndërtimet pa leje vijojnë të mbeten një problem serioz për vijën bregdetare, duke përmendur edhe rastin e fundit në Sarandë.

Kemi nisur një seri takimesh në të gjitha qarqet e vendit për të diskutuar problematikat dhe mënyrën e funksionimit të inspektorateve rajonale. Vlora ka një rëndësi strategjike për turizmin dhe kërkon vëmendje të shtuar. Çdo inspektorat do të ketë detyrë ngritjen e task-forcave të posaçme për t’u vënë në shërbim të turistëve dhe qytetarëve vendas. Çdo inspektor duhet të jetë vigjilent në çdo moment për të parandaluar çdo situatë që mund të ndikojë në imazhin e Shqipërisë gjatë sezonit turistik”, deklaroi Sula.

Ai theksoi se kontrollet do të jenë të vazhdueshme, sidomos për subjektet që operojnë në zonat bregdetare, duke nisur nga siguria ushqimore e deri te standardet e shërbimit.

Çdo inspektor duhet të monitorojë 24 orë subjektet tregtare, restorantet dhe aktivitetet në vijën bregdetare, për të garantuar cilësi shërbimi dhe mbrojtje të konsumatorit. Toleranca do të jetë zero për çdo shkelje. Nuk do të ketë asnjë tolerancë as për inspektorët që shkelin ligjin apo abuzojnë me detyrën”, u shpreh Kryeinspektori i Përgjithshëm.

Sula njoftoi gjithashtu se do të forcohet komunikimi me qytetarët përmes platformave të reja të denoncimit dhe sinjalizimit.

Kemi ngritur një portal komunikimi për qytetarët, në mënyrë që kontrolli të mos mbetet vetëm te syri i inspektorit, por edhe te denoncimi qytetar. Javën e ardhshme nis funksionimin edhe linja e gjelbër 0800, për t’u dhënë mundësi qytetarëve të raportojnë çdo problematikë apo shkelje”, deklaroi ai.

Sa i përket ndërtimeve pa leje, Sula pranoi se situata në bregdet mbetet shqetësuese.

Vlora është plagë, ashtu si i gjithë bregdeti, për sa u përket ndërtimeve pa leje. Rasti i fundit në Sarandë tregon qartë vullnetin e qeverisë për të ndërhyrë dhe për të mos toleruar më paligjshmërinë”, tha ai.

Takimet e Kryeinspektoratit po zhvillohen në kuadër të trajnimeve dhe koordinimit të strukturave inspektuese në të gjithë vendin, me fokus garantimin e një sezoni turistik pa probleme.

sula ikmt vlor ndertime

Lini një Përgjigje