Senatorja deklaroi se në periudhën në të cilën ndodhemi, emërimi i një ambasadori amerikan në Tiranë është shumë i rëndësishëm...
Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit të Shteteve të Bashkuara po zhvillon një seancë dëgjimore për një seri nominimesh diplomatike dhe poste të larta në Departamentin e Shtetit. Mes nominimeve në këtë seancë dëgjimore ku senatorët do të shqyrtojnë kandidaturat për ambasadorë është edhe Eric Wendt nga Kalifornia, i propozuar për postin e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë.
Kryetari i komisionit, senatori amerikan, James Risch duke folur para kandidateve të nominuar për ambasadorë, deklaroi se partneriteti mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë ka shënuar një rritje të konsiderueshme dhe se Shqipëria mbetet një aleat i rëndësishëm i SHBA-së dhe NATO-s.
Senatori Risch tha se Shqipëria luan një rol kyç në sigurimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, teksa e vlerësoi vendin tonë për qëndrimin kundër influencës ruse.
Senatori Risch theksoi se është jetike që SHBA të vazhdojë mbështetjen e saj për Shqipërinë, sidomos në zbatimin e reformave qeveritare dhe ekonomike që vendi ka ndërmarrë.
“Zoti Went, partneriteti i Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë ka përfituar nga një rritje e ndjeshme në vitet e fundit dhe sot më shumë se kurrë. Shqipëria është një aleat i rëndësishëm i NATO-s, duke ndihmuar në garantimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe në përballjen me ndikimin rus. Është shumë e rëndësishme që SHBA të vazhdojë mbështetjen për zbatimin nga Shqipëria të reformave qeveritare dhe ekonomike që ajo ka ndërmarrë, çka nga ana tjetër do të rrisë mundësitë për bashkëpunim edhe më të madh”, tha Senatori Risch.
Më pas fjalën e mori senatorja, Jeanne Shaheen e cila gjithashtu deklaroi se Shqipëria mbetet aleati kyç i SHBA-së në Ballkan. Ajo theksoi se nëse Went zgjidhet ambasador do të jetë i pari pas tre vitesh në Shqipëri. Senatorja deklaroi se në periudhën në të cilën ndodhemi, emërimi i një ambasadori amerikan në Tiranë është shumë i rëndësishëm.
“Zoti Went është nominuar për të shërbyer si ambasador në Shqipëri. Dhe sërish, siç tha kryetari, Shqipëria është një nga partnerët tanë më të afërt në Ballkanin Perëndimor, është aleate e NATO-s dhe ka qëndruar përkrah nesh në shumë mënyra. Ajo ka mbështetur gjithashtu Ukrainën dhe sanksionet ndaj Rusisë. Nëse konfirmoheni, ju do të jeni ambasadori i parë i SHBA-së në Shqipëri pas tre vitesh, në një moment me rëndësi të veçantë për rajonin. Lidershipi diplomatik ka rëndësi”, tha senatorja.
Seancat dëgjimore të Senatit janë pjesë e procesit kushtetues të konfirmimit të emërimeve presidenciale në diplomacinë amerikane dhe administratën federale.
Kujtojmë se po në këtë seancë po shqyrtohen edhe emërimet e David Brat për ambasador në Australi, Michael Kavoukjian për ambasador në Norvegji dhe Michelle Steel për ambasadore në Korenë e Jugut.
Lini një Përgjigje