Në mungesë të ndërhyrjes institucionale dhe përballë një fluksi të pazakontë automjetesh, banorët e fshatit Spathar në Librazhd janë detyruar të marrin rolin e shtetit: kanë vendosur vetë tabela orientuese dhe paralajmëruese në segmentin rural Spathar–Rruga Antike Egnatia–Dardhë–Hotolisht, i cili po përdoret si rrugë alternative pas bllokimit të aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas.
Segmenti, i projektuar për qarkullim lokal, është kthyer në arterien e vetme që mban të lidhur Tiranën me Juglindjen e vendit, pasi rruga kombëtare në zonën e Arrave të Gurrës mbetet e pakalueshme. Nga një rrugë fshati, aksi është shndërruar brenda ditësh në korridor kombëtar, duke përballuar qindra e mijëra automjete në ditë.

Fluksi i jashtëzakonshëm ka nxjerrë në pah brishtësinë e infrastrukturës. Një pjesë e segmentit, e asfaltuar vetëm pak kohë më parë, ka nisur të dëmtohet nga ngarkesa e pazakontë, ndërsa pjesë të tjera, të amortizuara prej vitesh, janë bërë të vështira për t’u kaluar. Gropat, çarjet dhe mungesa e sinjalistikës zyrtare e kthejnë këtë rrugë “shpëtimtare” në një provë durimi për drejtuesit e mjeteve.
Në mungesë të tabelave zyrtare, banorët kanë improvizuar sinjalistikë me mjete rrethanore, për të orientuar drejtuesit dhe për të shmangur rrezikun e aksidenteve. Në një kohë kur bëhet fjalë për një aks që lidh kryeqytetin me një pjesë të madhe të Juglindjes, orientimi me tabela të vendosura me dorë është kthyer në zgjidhjen e vetme në terren.
Banorët shprehen të revoltuar për mungesën e ndërhyrjes nga strukturat përgjegjëse. Sipas tyre, nuk ka prani të mjeteve të Autoritetit Rrugor apo kompanive që punojnë në segmentet e Korridorit VIII për të stabilizuar këtë aks alternativ dhe për të garantuar sigurinë minimale të qarkullimit.
Mbrëmjen e së hënës, një përfaqësi e fshatit bëri thirrje për solidaritet dhe mbështetje institucionale për përmirësimin urgjent të parametrave të rrugës Spathar–Rruga Antike Egnatia–Dardhë–Hotolisht. Ata paralajmërojnë se, nëse nuk do të ketë ndërhyrje konkrete në ditët në vijim, do të detyrohen të bllokojnë qarkullimin si formë presioni ndaj institucioneve përgjegjëse.
Ndërkohë, ky aks nuk shërben vetëm për qarkullimin e zakonshëm, por është jetik edhe për emergjencat shëndetësore dhe për lidhjen ekonomike mes Tiranës dhe Juglindjes. Çdo degradim i mëtejshëm rrezikon të thellojë izolimin e zonës dhe të përshkallëzojë pasojat sociale e ekonomike. Në terren, për momentin, shteti përfaqësohet nga tabelat e shkruara me dorë.
Lini një Përgjigje