Aktorja kërkoi ndalimin e përdorimit të imazhit dhe 1 milion euro dëmshpërblim
Gjykata Administrative e Tiranës nuk ka pranuar kërkesën për sigurimin e padisë të paraqitur nga aktorja Anila Bisha lidhur me përdorimin e imazhit të saj për avatarin qeveritar “Diella”.
Aktorja paditi Këshillin e Ministrave, AKSHI-n, kompaninë “Apel” shpk dhe kryeministrin Edi Rama. Ajo kërkoi pezullimin e funksionimit të ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, si dhe ndalimin e përdorimit të të dhënave të saj personale.
Çështjen e shqyrtoi gjyqtari Armand Shkurta, i cili vendosi të rrëzojë kërkesën për masë sigurimi.
Në padi, Bisha kërkon edhe 1 milion euro dëmshpërblim për dëmtim të imazhit. Ajo pretendon se imazhi dhe zëri i saj janë përdorur për krijimin e avatarit “Diella” pa miratimin e saj dhe në kundërshtim me kontratën ekzistuese.
Sipas saj, kontrata parashikonte përdorimin e imazhit vetëm si asistente virtuale për shërbimet në platformën e-Albania. Ajo kundërshton shfaqjen e avatarit në rolin e ministres, duke e cilësuar si veprim të kryer pa dijeninë dhe pëlqimin e saj.
Në dokumentet e dorëzuara në gjykatë, aktorja thekson se krijimi i avatarit është realizuar pa autorizim paraprak dhe se përdorimi i të dhënave të saj ka prodhuar një duplikat digjital të identitetit të saj.
Procesi gjyqësor vijon me shqyrtimin e padisë në themel.
Lini një Përgjigje