Këshilli i Mandateve u mblodh sot për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku. Vendimi për thirrjen e Këshillit erdhi pas kërkesës së Komisionit Europian që Kuvendi të trajtojë pa vonesa kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
Mbledhja zhvillohet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e qeverisë për pezullimin e masës së GJKKO-së që kishte shkarkuar Ballukun nga funksionet publike. Pritet vendimi i Këshillit të drejtuar nga Niko Peleshi mbi kërkesën e SPAK.
Belinda Balluku rrezikon deri në 35 vite burg sipas Prokurorëve të SPAK në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.
“Në masat e para të kërkuara znj. Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg; sot që flasim situata e saj është rënduar, dhe me akuzat e prokurorisë në këtë moment znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg”, kanë deklaruar Prokurorët e SPAK.
Pasi prezantuan provat e reja për Ballukun dhe pasi janë dëgjuar nga anëtarët e Këshillit, tre prokurorët e SPAK, Klodian Braho, Dritan Brençi dhe Dorina Bejko janë larguar.
Ndërsa diskutimet vijojnë mes anëtarëve të Këshillit të Mandateve, të cilët do të hartojnë edhe një raport, që do ta çojnë në Kuvend për miratim në datën 5 mars.
Lini një Përgjigje