Ju ftojmë të ndiqni zhvillimet kryesore nga kronika e zezë deri në këtë orë të ditës, ku ndër të tjera veçojmë:
Dosja “Partizani” shtyhet për më 6 mars
Procesi për çështjen “Partizani” është shtyrë për në 6 mars. Të pandehurit përfunduan parashtrimet e tyre, ndërsa SPAK kërkoi kohë shtesë për administrimin e provave dhe paraqitjen e dëshmitarëve.
Gjykata e Tiranës liron protestuesit e 20 shkurtit
Gjykata vendosi “detyrim paraqitje” për 17 persona të arrestuar gjatë protestës së 20 shkurtit, mes tyre 3 të mitur. Një tjetër u lirua për shkak të problemeve të shëndetit mendor.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) jep vendimin për ish-efektivin e Durrësit
Ish-polici Gentian Hoxhalli u shpall fajtor pasi i kërkoi një qytetari 60 mijë lekë për t’i shmangur gjobën.
Arrestime për llogari të Italisë
Një 35-vjeçar në kërkim ndërkombëtar u arrestua në Shkodër dhe pritet të ekstradohet në Itali për trafik droge dhe përfshirje në organizatë kriminale.
Po ashtu, në Berat u arrestua 64-vjeçari Adriano Patosi, ndaj të cilit gjykata ka caktuar “arrest në burg” për akuza për drogë dhe korrupsion.
Armëmbajtje dhe arsenal në Shkodër
Një person u arrestua te “Tregu Elektrik” me pistoletë në brez, ndërsa një 28-vjeçar po hetohet në gjendje të lirë për “moskallëzim krimi”.
Në një fshat të Shkodrës, Sami Meaj dhe Selim Myrtja u kapën në flagrancë me arsenal armësh.
Ngjarje e rëndë në familje
Një nënë arriti të shpëtojë vajzën e saj me aftësi të kufizuara nga përdhunimi i dyshuar. Autori, 64-vjeçar shqiptar, është në kërkim nga autoritetet greke.
Arrestohet Artan Grubi
Pas një viti në arrati, ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, u arrestua në pikën kufitare të Bllacës. Ai akuzohet për korrupsion.
Lini një Përgjigje