Aktorja Anila Bisha ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative të Tiranës, e cila rrëzoi kërkesën e saj për sigurim padie për pezullimin e ministres virtuale “Diella”, që përdor zërin dhe imazhin e saj.
Sipas palës paditëse, kontrata e lidhur ka qenë vetëm për përdorimin e figurës si asistente virtuale, ndërsa pretendon se ajo është tejkaluar. Çështja tashmë pritet të kalojë në seancë themeli, ku aktorja kërkon 1 milion euro dëmshpërblim për prishje imazhi.
Bisha deklaroi se do të vijojë betejën ligjore dhe, nëse nuk gjen zgjidhje në gjykatat shqiptare, do t’i drejtohet Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
“Ky është vendimi i gjykatave shqiptare! Mua më përdorën të drejtat personale për ministre pa asnjë kontratë dhe gjykata këtë nuk e merr fare parasysh. Por unë do të vazhdoj padinë time më tej. Nëse nuk ja dal me gjykatat tona, absolutisht çështjen do e çoj në Strasburg!”, është shprehur aktorja për "Report Tv".
Lini një Përgjigje