
Vedat Muriqi po kalon një nga sezonet më të mira në karrierën e tij në La Liga. Sulmuesi i Kosovës realizoi dy gola në fundjavë, duke kontribuar në fitoren bindëse 3-0 të Majorkës ndaj Rajo Vajekanos.
Me këto realizime, Muriqi e çon në 21 numrin e golave të shënuar këtë sezon në elitën e futbollit spanjoll, duke konfirmuar formën e tij të lartë dhe rëndësinë në skuadrën e Majorkës.
Dopieta e fundit i ka dhënë gjithashtu mundësinë të shkruajë histori me klubin. Muriqi ka arritur në kuotën e 55 golave në La Liga me Majorkën, duke lënë pas një nga emrat më të mëdhenj që ka veshur këtë fanelë, Samuel Eto’o, i cili kishte regjistruar 54 gola.
Megjithatë, objektivat e sulmuesit dardan nuk ndalen këtu. Synimi i radhës mbetet rekordi i vendosur nga Dani Guiza në sezonin 2007-2008, kur spanjolli realizoi 27 gola dhe u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit, duke lënë pas emra të njohur si Luis Fabiano dhe Serxhio Agüero.
Aktualisht, Muriqi ka në dispozicion edhe shtatë ndeshje për të tentuar të thyejë këtë rekord historik dhe për të përforcuar më tej pozicionin e tij në historinë e Majorkës.
Lini një Përgjigje