
E ardhmja e mesfushorit shqiptar Kristjan Asllani mbetet e paqartë, pasi qendrimi i tij te Beshiktashi nuk është i sigurt. Lojtari u huazua te klubi turk në muajin janar, por paraqitjet e tij deri më tani nuk kanë qenë bindëse, duke shtuar dyshimet në Stamboll për një vazhdim të mundshëm të bashkëpunimit.
Një nga arsyet kryesore që mund të çojë në mosaktivizimin e klauzolës së blerjes lidhet me vlerën e kartonit të tij. Drejtuesit e Beshiktashit e konsiderojnë shumën prej 11 milionë eurosh, të vendosur nga Interi, si të lartë për mesfushorin shqiptar.
Sipas mediave turke, klubi ka kohë që kërkon të negociojë me Interin për uljen e çmimit. Raportimet e fundit nga “Skorer” tregojnë se Beshiktashi do të ishte i gatshëm të blinte kartonin e Asllanit vetëm nëse vlera e tij do të ulej në intervalin 5-6 milionë euro.
Kjo situatë e vendos Interin përballë një vendimi të rëndësishëm. Nga njëra anë, klubi italian mund të përfitojë menjëherë financiarisht nga shitja e lojtarit, i cili nuk konsiderohet pjesë e planeve afatgjata. Nga ana tjetër, ekziston rreziku që një huazim i ri në sezonin e ardhshëm të çojë në ulje të mëtejshme të vlerës së tij në treg.
Lini një Përgjigje