Shqipëria e pëson në momentin më të mirë. Izraeli ndëshkon kuqezinjtë në “Air Albania” në minutën e 73. Glouk lëvizi në zonë dhe goditi me të majtën, duke tundur rrjetën.
Shqipëria dhe Izraeli i mbyllën në barazim pa gola 45 minutat e para të ndeshjes miqësore që po luhet në “Air Albania”.
Rasti më i mirë i pjesës së parë për kuqezinjtë erdhi në minutën e 10-të. Elseid Hysaj dërgoi një krosim perfekt nga krahu i djathtë drejt Mehmetit, i cili u gjend i vetëm përballë portës, por nuk arriti të koordinohej si duhej dhe e dërgoi topin mbi traversë.
Izraeli u kundërpërgjigj në minutën e 15-të me Glouk, i cili provoi me një goditje të rrezikshme drejt shtyllës së largët, por topi përfundoi jashtë kuadratit. Më pas, Kristjan Asllani tentoi dy herë nga distanca, në minutat 18 dhe 22, por pa gjetur portën, ndërsa goditja e dytë u bllokua nga mbrojtja izraelite.
Në minutën e 29-të, Mehmeti ishte sërish protagonist me një goditje të harkuar nga e majta e sulmit, por topi kaloi pranë shtyllës së largët. Shqipëria provoi edhe me Hoxhën në minutën e 34-t, por tentativa e tij nuk gjeti kuadratin.
Nga ana tjetër, Izraeli rrezikoi në minutën e 33-të, kur një top i rrezikshëm në qendër nuk u kontrollua nga Glouk dhe përfundoi në duart e portierit Sherri. Në minutën e 37-të, Torriel provoi nga jashtë zone, por goditja e tij shkoi larg portës.
Në minutën e 43-të, Armando Broja shtangu tifozët, humbi shansin brenda zonës për të zhbllokuar shifrat, humbi kohën në goditjen finale.
Pas 45 minutave të para, rezultati mbetet 0-0, me Shqipërinë që ka krijuar rastet më të pastra për shënim, por pa arritur të konkretizojë.
Lini një Përgjigje