Prej orës 18:00 të kësaj pasditeje, tifozët kanë nisur të hyjnë në stadiumin “Air Albania” për të ndjekur ndeshjen miqësore mes Shqipërisë dhe Izraelit. Megjithatë, nga pamjet e siguruara nga gazetari Ernest Koçi, vihet re një interes më i ulët krahasuar me sfidat e tjera të Kombëtares.
Për këtë përballje janë vendosur masa të shtuara sigurie. Tifozët duhet të kalojnë fillimisht kontrollet e kompanive private të sigurisë dhe më pas verifikimet e Policisë së Shtetit përpara se të futen në stadium.
Autoritetet nuk lejojnë hyrjen me sende të tilla si monedha apo çelësa, ndërsa kufizime janë vendosur edhe për përfaqësuesit e medias. Gazetarët që do të raportojnë nga stadiumi nuk lejohen të mbajnë kufje në tribunën e dedikuar për ta.
Në aspektin sportiv, vëmendja është përqendruar te debutimi i trajnerit italian Rolando Maran në stolin e Kombëtares shqiptare. Tekniku ka vendosur të aktivizojë nga minuta e parë portierin Alen Sherri, i cili fiton besimin e stafit teknik për këtë sfidë.
Një tjetër risi në formacion është Anis Mehmeti, i cili do ta nisë ndeshjen si titullar. Ndërkohë, në mesfushë rikthehet Ylber Ramadani, një nga pikat kyçe të skuadrës kuqezi pas një sezoni pozitiv me Leçen në Serinë A.
Nga ana tjetër, sulmuesi Myrto Uzuni mungon në këtë grumbullim për arsye shëndetësore.
Lini një Përgjigje