Elbasani, Vllaznia dhe Dinamo do të jenë pjesë e turit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës, por ndryshimet e fundit të bëra nga UEFA kanë sjellë zhvillime të reja sa i përket kundërshtarëve të mundshëm të skuadrave shqiptare.
Shtëpia europiane e futbollit ka përjashtuar disa klube nga garat kontinentale, duke shkaktuar riorganizim të vazove për shortin e turit të parë kualifikues.
Një nga rastet lidhet me futbollin andorran. UE Santa Koloma nuk ka arritur të sigurojë licencën e nevojshme nga UEFA dhe është zëvendësuar nga FC Santa Koloma. Klubi zëvendësues zotëron një koeficient më të lartë europian, çka e ka vendosur në vazon e ekipeve favorite për turin e parë kualifikues.
Si pasojë e këtij ndryshimi, Torpedo Kutaisi i Gjeorgjisë është zhvendosur në vazon e skuadrave jo favorite, duke u kthyer në një kundërshtar të mundshëm për Vllazninë, e cila ndodhet në vazon e ekipeve favorite.
Ndërkohë, një tjetër vendim i rëndësishëm është marrë ndaj klubit azerbajxhanas Turan Tovuz. UEFA ka vendosur përjashtimin e skuadrës nga garat europiane për shkak të përfshirjes në trukime ndeshjesh, të cilat datojnë që nga viti 2019. Sanksioni bazohet në një vendim të mëparshëm të federatës vendase dhe është zbatuar nga UEFA në sezonin e parë kur klubi është rikthyer në kompeticionet europiane.
Pas këtij vendimi, vendin e Turan Tovuz në turin e dytë kualifikues do ta zërë Neftçi. Ndërsa për turin e parë, skuadra e Zirës do të pozicionohet në vazon e dytë, duke ndryshuar kështu përbërjen e kundërshtarëve potencialë në shortin e Ligës së Konferencës.

Lini një Përgjigje