Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka komentuar në Kuvend protestat që po zhvillohen prej 11 ditësh në vend, duke akuzuar mazhorancën se po injoron kërkesat e qytetarëve dhe të rinjve që janë mobilizuar kundër qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, Kapri tha se opozita ka kërkuar praninë e kryeministrit Edi Rama në sallën e Kuvendit, ndërsa akuzoi shumicën se nuk po respekton Rregulloren dhe Kushtetutën.
Ai iu përgjigj gjithashtu deklaratave për shantazh, duke drejtuar akuzat ndaj kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Më tej, Kapri tha se uragani i rinisë do ta marrë para këtë Kuvend të turpshëm.
“Kemi kërkuar të vijë në sallë kryeministri. Ju refuzoni të respektoni Rregulloren dhe Kushtetutën. U fol për shantazh, nëse po e bën dikush është Taulant Balla. Shiheni këtë foto. Balla ka nxjerrë foto duke shantazhuar dhe rrezikuar jetën drejtorit të Reuters në rajon.
Kjo është e rëndë dhe ky është shantazh. Nuk e kuptoni çfarë po ndodh? Nuk u vjen turp nga kultura politike e të rinjve që po ju nxjerrin jashtë loje?
Nesër Rama ka thirrur një anti-miting vetëm pak larg rinisë shqiptare. Për çfarë festoni, për gjysmën e qeverisë në burg apo që e mbushët Kuvendin me përdhunues. Matuni mirë sepse uragani i rinisë do ta marrë para këtë Kuvend të turpshëm.”, tha Kapri.
Deklaratat e Kaprit erdhën në një seancë plenare të dominuar nga debatet për protestat që po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, ku protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
I lumte goja kush e ka thene kete fraze.