Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, akuzoi qeverinë se ka ngadalësuar trajtimin e projektligjeve që lidhen me procesin e integrimit europian, ndërsa vuri në dyshim argumentet e mazhorancës për ritmin e reformave.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Muçi tha se prej dy javësh janë anuluar mbledhjet e komisioneve parlamentare ku ai bën pjesë dhe se projektligjet që më parë paraqiteshin si urgjente nuk po shqyrtohen më.
“Ka 2 javë që në komisionet ku unë bëj pjesë janë anuluar mbledhjet dhe nuk ka asnjë nga ato projektligjet e trenit që nxitonte shumë dhe ne s’kishim kohë t’i lexonim dhe kryeministri i firmoste tëk e tëk. Na thoni që ta shtyjmë, t’i japim një dorë të ecë përpara ose pranojeni që Edi Rama e ka humbur besueshmërinë te ndërkombëtarët. Pranojeni se ky sharlatan që kemi për kryeministër, na bën që na bën neve me turp, por tani po bën me turp edhe ata europianë që dikur e puthnin në faqe.”, tha ai.
Deputeti iu referua edhe organizimit politik të Partisë Socialiste, duke e krahasuar atë me praktika të së kaluarës.
“Në çfarë epoke jetoni ju sepse qarkullojnë mesazhe ku u kërkoni patronazhistëve të marrin me vete me listë edhe 15 shokë të tjerë. Jeni bërë si byroja politike në kohën e Ramiz Alisë.”, u shpreh depteti.
Muçi ndaloi edhe te projekti i investimit në Zvërnec, duke kërkuar shpjegime nga qeveria pas raportimeve për tërheqjen e investitorit të lidhur me familjen e presidentit amerikan Donald Trump.
“Tani që dhëndri i Donaldit u tërhoq nga investimi i Zvërnecit, çfarë justifikimi keni për ato 4.5 miliardë dollarët e supozuar?”, tha Muçi.
Lini një Përgjigje