Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut (FFMV) ka vendosur masa të ashpra disiplinore ndaj Shkëndijës së Tetovës pas ngjarjeve të regjistruara në finalen e Kupës së Maqedonisë së Veriut. Klubi tetovar është përjashtuar nga pjesëmarrja në edicionin e ardhshëm të Kupës dhe është gjobitur me një shumë totale prej 105 mijë eurosh.
Vendimi është marrë pavarësisht sqarimeve të dhëna nga drejtuesit e Shkëndijës, të cilët kishin deklaruar se futbollistët nuk e kishin dëgjuar thirrjen për t’u paraqitur në ceremoninë e ndarjes së medaljeve. Megjithatë, organet disiplinore të FFMV-së kanë vlerësuar se janë kryer shkelje të rënda të rregulloreve të garës.
Sipas vendimit zyrtar, klubi është gjobitur me 15 mijë euro për përdorimin e mjeteve piroteknike nga tifozët në tribunë. Një tjetër sanksion prej 10 mijë eurosh është vendosur për kore dhe slogane që organizatorët i kanë cilësuar si të papërshtatshme.
Po ashtu, një baner, të cilin autoritetet e futbollit e kanë vlerësuar si me përmbajtje naziste, ka sjellë një gjobë shtesë prej 20 mijë eurosh.
Dënimi më i rëndë lidhet me refuzimin e marrjes së medaljeve pas përfundimit të finales. Për këtë shkelje, Shkëndija është gjobitur me 30 mijë euro dhe është përjashtuar nga pjesëmarrja në Kupën e sezonit të ardhshëm. Sipas arsyetimit të Federatës, me këtë veprim nuk janë respektuar zyrtarët e ndeshjes dhe ekipi kundërshtar.
Ndërkohë, klubi është ndëshkuar edhe me 30 mijë euro të tjera, si dhe me katër ndeshje pa praninë e tifozëve, për incidentet që lidhen me ceremoninë e intonimit të himnit shtetëror. Në raportin zyrtar thuhet se himni i Maqedonisë së Veriut nuk është respektuar, ndërsa nga tribuna është kënduar himni shqiptar.
Shkëndija ende nuk ka bërë të ditur nëse do të ushtrojë ankesë ndaj vendimit të organeve disiplinore të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Lini një Përgjigje