
Zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 7 qershor 2026 kanë shënuar nivelin më të ulët të pjesëmarrjes qytetare në historinë zgjedhore të Kosovës pas luftës.
Sipas një analize krahasuese të publikuar nga KosovaPress, vetëm 36.88 për qind e qytetarëve me të drejtë vote morën pjesë në procesin elektoral, duke lënë pas rekordin e mëparshëm negativ të vitit 2007.
Në atë periudhë, kur vendi ndodhej në prag të shpalljes së pavarësisë, pjesëmarrja kishte arritur në 40.09 për qind, një shifër që në atë kohë konsiderohej shqetësuese për klasën politike dhe opinionin publik.
Të dhënat tregojnë se interesimi i qytetarëve për zgjedhjet ka pësuar luhatje ndër vite. Në vitin 2017 pjesëmarrja ishte 41.3 për qind, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2014 kishte arritur në 42.63 për qind.
Më pas, në vitin 2019, votuan 44.56 për qind e elektoratit, ndërsa zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2021 regjistruan një pjesëmarrje më të lartë, prej 48.78 për qind.
Në krahasim me këto procese, rezultati i zgjedhjeve të fundit tregon një rënie të ndjeshme të interesimit të qytetarëve për të marrë pjesë në vendimmarrjen politike.
Nga ana tjetër, rekordi i pjesëmarrjes mbetet ai i zgjedhjeve të para parlamentare pas luftës, të organizuara më 17 nëntor 2001. Në atë proces votuan 64.30 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në Kosovën e pasluftës.
Megjithatë, ekspertët kujtojnë se përqindja e pjesëmarrjes nuk përkthehet domosdoshmërisht në numrin më të ulët të votuesve, pasi ky tregues ndikohet drejtpërdrejt edhe nga madhësia e trupit elektoral në secilat zgjedhje.
Lini një Përgjigje