TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Qershor 2026, 15:40

Nuk e shpëton as garancia pasurore, Apeli i GJKKO lë në burg Ilir Beqajn!

Shkruar nga Pamfleti
Nuk e shpëton as garancia pasurore, Apeli i GJKKO lë në burg Ilir
Ilir Beqaj

Ish-ministri kërkoi që t’i lejohej komunikimi me avokatin e tij pranë kafazit të sigurisë, por kërkesa nuk u pranua nga trupi gjykues.

Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm të GJKKO-së.

Kërkesa u shqyrtua gjatë seancës së zhvilluar këtë të hënë në kuadër të dosjes “SASPAC”, ku Beqaj akuzohet për një sërë veprash penale që lidhen me administrimin e fondeve të Bashkimit Europian gjatë kohës kur drejtonte Agjencinë Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës.

Gjatë seancës, ish-ministri kërkoi që t’i lejohej komunikimi me avokatin e tij pranë kafazit të sigurisë, por kërkesa nuk u pranua nga trupi gjykues. Gjykatarja Miliana Muça vendosi rrëzimin e saj, ndërsa në përfundim të shqyrtimit Apeli la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.

Garancia pasurore prej 20 milionë lekësh

Në ankimin e paraqitur në Apelin e Posaçëm, Beqaj kishte kërkuar zbutjen e masës së sigurisë, duke ofruar një garanci pasurore prej 20 milionë lekësh. Ai argumentoi kërkesën e tij duke iu referuar edhe një vendimi unifikues të Gjykatës së Lartë, i cili ka sjellë ndryshime në praktikën gjyqësore lidhur me masën e arrestit me burg.

Megjithatë, gjykata nuk e konsideroi të mjaftueshme këtë kërkesë dhe vendosi të mos ndryshojë statusin e tij juridik.

Akuzat në dosjen “SASPAC”

Ilir Beqaj u arrestua më 4 korrik 2024 pas hetimeve të SPAK-ut mbi dosjen “SASPAC”. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai dyshohet për shpërdorim të fondeve europiane gjatë periudhës kur drejtonte agjencinë përgjegjëse për koordinimin e ndihmës së huaj dhe programeve strategjike.

Pas nisjes së hetimeve, Beqaj dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Në këtë dosje, krahas Beqajt, të pandehur janë edhe Ermal Kurtulaj, Bledar Leka, Gazmend Haxhia dhe Mira Topçiu.

SPAK e akuzon ish-ministrin për gjashtë vepra penale në 27 episode të ndryshme. Sipas organit të akuzës, akuzat përfshijnë korrupsion, shkelje të barazisë në tendera, falsifikim dokumentesh, mashtrim me pasoja të rënda në bashkëpunim dhe fshehje pasurie.

Përballë drejtësisë edhe për sterilizimin

Dosja “SASPAC” nuk është e vetmja çështje për të cilën Ilir Beqaj po përballet me drejtësinë. Ish-ministri i Shëndetësisë po gjykohet veçmas edhe për koncesionin e sterilizimit, një nga çështjet më të bujshme të hetuara nga SPAK.

Në këtë procedim penal, Beqaj akuzohet për veprën penale “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal gjatë procedurave që lidhen me kontratën koncesionare të sterilizimit.

Ndërkohë, GJKKO ka shpallur vendimet për disa nga të pandehurit e tjerë të kësaj dosjeje. Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, dhe biznesmeni Ilir Rrapaj janë dënuar me nga 6 vite burg, ndërsa Marsela Sejranaj, Saimir Kadiu, Petref Mersini dhe Arben Gjata janë dënuar me nga 3 vite e 6 muaj burg. Naile Ajazi është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg. Të gjithë përfituan ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Ndryshe nga ata, Ilir Beqaj po gjykohet me procedurë të zakonshme dhe çështja ndaj tij vijon të shqyrtohet veçmas nga Gjykata e Posaçme.

ilir beqaj burg korrupsion

Lini një Përgjigje