Nëntë persona janë plagosur pas një incidenti me armë zjarri pranë qendrës stërvitore që kombëtarja e Anglisë do të përdorë gjatë Kupës së Botës 2026 në Kansas City, Missouri.
Sipas autoriteteve lokale, policia u njoftua në orët e para të mëngjesit për të shtëna në zonën e Troost Avenue, rreth 10 minuta larg me makinë nga qendra stërvitore dhe pranë hotelit ku do të akomodohet përfaqësuesja angleze gjatë turneut.
Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët gjetën një turmë të madhe që po shpërndahej. Fillimisht, tre gra të plagosura u transportuan në spital, ndërsa më vonë autoritetet konfirmuan se në total nëntë të rritur u dërguan në institucione të ndryshme shëndetësore. Të gjitha lëndimet u raportuan si jo kërcënuese për jetën.
Deri tani, policia nuk ka njoftuar për arrestime, ndërsa hetimet vijojnë. Forcat e rendit kanë shtuar patrullimet në zonë për të garantuar sigurinë publike.
Vetëm javën e kaluar, policia e Kansas City përfitoi një grant federal prej 17 milionë dollarësh për forcimin e masave të sigurisë gjatë Kupës së Botës 2026. Fondet synojnë rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknologjike për përballimin e sfidave që sjell organizimi i turneut.
Kombëtarja e Anglisë, e cila ndodhet në Palm Beach të Floridës që prej javës së kaluar, pritet të mbërrijë në Kansas City më 13 qershor. Qyteti do të shërbejë si bazë stërvitore jo vetëm për Anglinë, por edhe për Argjentinën dhe Holandën.
Autoritetet lokale parashikojnë se Kansas City do të presë rreth 650 mijë vizitorë gjatë Kupës së Botës 2026, një fluks i konsiderueshëm që pritet të vendosë në provë sistemet e sigurisë dhe infrastrukturën e rajonit.
Lini një Përgjigje