Policia e Tiranës ka zbuluar një tjetër call centër mashtrimi, ku në pranga janë vënë 4 administratorët
Policia e Tiranës ka zbuluar një call center në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku dyshohet se kryhej veprimtari e paligjshme në fushën e mashtrimit kompjuterik.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ndërhyrjes u arrestuan në flagrancë katër persona, të identifikuar: Ernest Kurti, Amanti Jeshili, Eljo Dyrmishi dhe Marjo Myftari. Sipas hetimeve paraprake, ata dyshohet se administronin aktivitetin ose drejtonin grupet e punonjësve në këtë qendër.
Në ambientet e call center-it u konstatuan gjithashtu 49 punonjës, të cilët u kapën në flagrancë gjatë ushtrimit të aktivitetit dhe ndaj tyre nisi procedimi penal në gjendje të lirë.
Gjatë kontrollit në ambientet e përshtatura me dhjetëra poste pune, policia sekuestroi 94 kompjuterë, 11 telefona celularë, 2 iPad dhe materiale të tjera me interes për hetimin. Në total, autoritetet sekuestruan 107 pajisje elektronike që dyshohet se përdoreshin për realizimin e mashtrimeve kompjuterike.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e dyshuar kriminale, si dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet.
"DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Hold on”. Zbulohet një call center në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku kryhej mashtrim kompjuterik. Arrestohen në flagrancë 4 organizatorë dhe drejtues të kësaj veprimtarie.
Procedohen penalisht 49 punonjës, të cilët që u kapën në flagrancë, në këtë ambient.
Sekuestrohen 107 pajisje nëpërmjet të cilave kryhej mashtrimi, si dhe materiale të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, se kati i dytë i një objekti në bulevardin “Gjergj Fishta”, ishte call center ku kryhej mashtrim kompjuterik, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë, finalizuan në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “Hold on”.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 28 vjeç, A. J., 21 vjeç, E. D., 21 vjeç dhe M. M., 19 vjeç, të cilët dyshohet se administronin këtë veprimtari dhe/ose drejtonin grupet e punonjësve.
Gjithashtu, në ambientet e objektit, u kapën në flagrancë, gjatë punës, 49 shtetas, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan nga ambienti i përshtatur me dhjetëra poste pune, 94 kompjuterë, 11 celularë, 2 iPad dhe materiale të tjera me interes hetimor. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.", njofton policia.
Lini një Përgjigje