Nga marrëveshja bërthamore me Iranin te luftërat në Gaza dhe Liban, zhvillimet e viteve të fundit kanë dëshmuar se forca ushtarake nuk ka prodhuar paqe apo siguri afatgjatë. Zgjidhja kërkon diplomaci, kompromis politik dhe bashkëpunim rajonal.
Kur administrata Obama po negocionte marrëveshjen bërthamore me Iranin, i pyeta zyrtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare: “Pse po e përdorni të gjithë ndikimin ekonomik, politik dhe diplomatik për ta penguar Iranin të zhvillojë një bombë që nuk e ka (dhe edhe nëse do ta kishte, nuk do të mund ta përdorte), ndërsa këto burime mund të përdoreshin për të ushtruar presion mbi sjelljet e tij destabilizuese në rajon?”.
Megjithatë, kur u shpall Marrëveshja Bërthamore (JCPOA), e mbështeta për tre arsye. Së pari, sepse ishte një zgjidhje e negociuar, gjithmonë më e mirë se konflikti. Pavarësisht deklaratave zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, diplomatët e përfshirë në negociata siguruan se marrëveshja ishte vetëm një hap i parë dhe se çështjet e tjera rajonale do të trajtoheshin më pas. Unë shpresoja se kjo do të çonte drejt një arkitekture sigurie rajonale.
Arsyeja e dytë ishte sabotimi politik nga republikanët në SHBA, përfshirë ftesën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në Kongres për të kundërshtuar presidentin amerikan - një ndërhyrje e papranueshme në politikën e brendshme amerikane.
Arsyeja e tretë ishte reagimi brenda Iranit. Sondazhet tona treguan se pas marrëveshjes, opinioni publik iranian filloi të zhvendoste prioritetet nga ndërhyrjet rajonale drejt çështjeve të brendshme, si punësimi dhe liritë civile.
Kur Donald Trump e anuloi marrëveshjen dhe filloi të kërcënonte Iranin, qëndrimet ndryshuan në kahun e kundërt. Qytetarët u bashkuan më shumë rreth flamurit kur ndiheshin të kërcënuar.
Në vitet që pasuan, tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit u thelluan.
Administrata Biden u përpoq të ringjallte marrëveshjen, por pa një angazhim të plotë, ndërsa Irani vijoi politikat e tij rajonale dhe zhvillimin ushtarak. Ndërkohë, shtetet e Gjirit kërkuan stabilitet përmes diplomacisë dhe zhvillimit ekonomik, duke u përpjekur të ulnin tensionet me Iranin.
Ato shpresonin që bashkëpunimi ekonomik të sillte një ekuilibër rajonal dhe që Izraeli të trajtonte çështjen palestineze për të hapur rrugën drejt paqes. Por kjo nuk ndodhi. Pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, rajoni u zhyt në një konflikt më të gjerë.
Lufta në Gaza, përplasjet në Liban dhe sulmet reciproke mes Iranit dhe Izraelit e përshkallëzuan krizën. Brenda pak kohësh, ndërsa Izraeli zhvillonte një luftë të përgjakshme në Gaza, aleati i Iranit në Liban u përfshi në një përplasje ushtarake shumë të kushtueshme me Izraelin në veri, një llogaritje e gabuar që pati pasoja shkatërruese.
Izraelitët nisën një fushatë bombardimesh vdekjeprurëse, duke vrarë mijëra libanezë, përfshirë edhe udhëheqësin e Hezbollahut. Muaj më vonë, Izraeli dhe SHBA sulmuan objektiva në Iran dhe vranë udhëheqës të rëndësishëm të tij. Irani u kundërpërgjigj me sulme, duke ndezur një përballje më të gjerë.
Negociatat prodhuan armëpushime të brishta, gjatë të cilave vazhdoi të rritej numri i viktimave në Gaza dhe Liban. Kur, i nxitur nga Izraeli dhe neokonservatorët republikanë, presidenti Donald Trump vendosi të “përfundojë punën” duke mposhtur regjimin iranian, konflikti mori një karakter të ri.
Irani i përshkallëzoi sulmet ndaj vendeve fqinje arabe të Gjirit që strehonin baza amerikane dhe mbylli Ngushticën e Hormuzit, duke bllokuar 20 për qind të furnizimit botëror me naftë dhe gaz dhe duke dëmtuar ekonomitë e rajonit të Gjirit.
Leximi i disa gazetave izraelite, arabe dhe amerikane, mjafton për të të bërë të humbasësh durimin. Disa analistë dhe komentatorë izraelitë të së djathtës ekstreme (dhe ndjekësit e tyre neokonservatorë amerikanë) vazhdojnë të besojnë se zgjidhja është një tjetër fushatë e madhe bombardimesh, e shoqëruar me “vrasje të synuara”, sikur këto metoda të mos kenë dështuar më parë.
Ndërkohë, disa analistë arabë të linjës së ashpër lavdërojnë “gjenialitetin” e taktikave iraniane. Megjithatë, është e vështirë të kuptohet se si kjo mund të konsiderohet diçka tjetër përveçse e rrezikshme dhe e papërgjegjshme, duke vënë në rrezik të ardhmen ekonomike të rajonit.
Mediat amerikane janë edhe më të çuditshme, të varura nga ndjekja e paqartë dhe e pakritikuar e deklaratave të presidentit, shpesh kontradiktore. Kështu, një dekadë pas JCPOA-së, Lindja e Mesme dhe rajoni i Gjirit ndodhen në një situatë më të rrezikshme se kurrë më parë.
Edhe pse situata është më komplekse dhe armiqësia më e thellë, dalja nga kjo situatë kërkon pranimin se qasjet e pjesshme dhe ndërhyrjet e fragmentuara vetëm e kanë përkeqësuar krizën.
Sado e vështirë që mund të duket, nevojitet një kornizë sigurie rajonale e bazuar te mosagresioni, mosndërhyrja dhe respekti për sovranitetin e shteteve, si dhe fundi i pushtimit izraelit dhe i mohimit të të drejtave palestineze.
Kjo nënkupton pranimin se nuk ka një zgjidhje ushtarake për problemet politike të rajonit. Çdo cikël i ri dhune vetëm sa i thellon ato. Në vend të saj duhet një udhëheqje e guximshme dhe vizionare, e cila mund të mos ekzistojë sot, por që mbetet e domosdoshme dhe drejt së cilës duhet të ecet./Përshtati "Pamfleti", nga “Asia Times”
Lini një Përgjigje