Seanca plenare është shoqëruar me tensione dhe replika të forta mes deputetëve, ndërsa nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, i ka tërhequr vëmendjen kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, për fjalorin e përdorur gjatë diskutimeve.
Teksa po fliste nga foltorja e Kuvendit, Shehaj iu drejtua me tone të ashpra deputetëve socialistë, duke përmendur edhe Ardit Bidon dhe Taulant Ballën.
“Po çfarë bën kështu mo Bido, si mund ta katandisësh veten kështu? Taulanti ka 30 vjet në politikë, para se të humbiste nderin, moralin, iu desh kohë. Nuk është kaq e thjeshtë, ti je një drejtor i vogël Bido, ah çfarë ka bërë Balla për të arritur aty ku është. Nuk mjafton të dalësh kundër protestuesve… pafytyrësia jote nuk ka limit, çdo ditë del dhe na sulmon. Që ta dish, se duhet të mësosh pak nga Taulanti se gënjejnë më mirë se ty…”, tha Shehaj.
Pas këtyre deklaratave, Spahiu ndërhyri duke i kërkuar deputetit të moderonte gjuhën dhe të kërkonte falje.
Klodiana Spahiu: “Kërko falje për fjalorin e përdorur ndaj kolegëve, këtu nuk kemi palaço, nëse ti njeh njeri për palaço shiko gjeje në vend tjetër. Ke 10 minuta që nuk flet asnjë fjalë për interpelancën, por merresh me kolegët e tu.”
Debati vijoi edhe më tej, pasi Shehaj reagoi nga vendi i tij.
Agron Shehaj: “S’ke turp?!”
Ndërsa Spahiu iu përgjigj:
“Klodiana Spahiu: Çfarë the? Ju tërhiqe vëmendjen për fjalorin e përdorur. Jepja fjalën të vazhdojë duke kërkuar falje për kolegun Bido… S’ka as palaço as legenë këtu, kërko falje dhe pastaj vazhdo fjalën aty ku e ke lënë.”
Përplasja ishte një tjetër episod i tensioneve që kanë shoqëruar seancën plenare, e dominuar nga debatet për protestat dhe situatën politike në vend.
Lini një Përgjigje