TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Qershor 2026, 14:05

Përplasje në Kuvend për protestën, Muçi kërkon dorëheqjen e ministrit, PS në kundërsulm: Je pasanik, ke ndërtuar pa leje!

Shkruar nga Pamfleti

Debati për projektin e Zvërnecit u shoqërua me përplasje të forta në Kuvend mes deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, dhe deputetëve socialistë Taulant Balla dhe Ardit Bido. Muçi kërkoi dorëheqjen e ministrit të Mjedisit dhe kritikoi qeverinë për menaxhimin e projektit, ndërsa Balla dhe Bido iu kundërpërgjigjën me akuza për pasurinë dhe ndërtime pa leje.

Përplasje në Kuvend për protestën, Muçi kërkon
Deputetët Balla, Muçi, Bido

Protestat e qytetarëve kundër qeverisë Rama dhe opozitës me në krye Sali Berishën me thirrjet për burg, kanë qenë kryefjala e diskutimeve sot në seancën plenare në Kuvend.

Deputeti Redi Muçi, i Lëvizjes Bashkë, iu drejtua ministrit të Mjedisit duke i thënë se është mirë që të japë dorëheqjen, e nga ana tjetër ka përmendur Taulant Ballën dhe Ardit Bidon, duke i thënë Sofjan Jaupajt se ky i fundit nuk duhet të bëhet si ata të dy.

Menjëherë pas fjalës tij, Muçit i është përgjigjur Balla dhe Bido.

Balla akuzoi deputetin e Lëvizjes Bashkë, se ai është ndër më të pasurit e Kuvendit dhe se ka ndërtuar pa leje.

Muçi: Kjo që po ndodh në Zvërnec e dimë që nuk është përgjegjësia jote, vendos sulltani, por ti ke zgjedhur t’i vësh fytyrën dhe ndaj merremi me ty. E kuptoj që e bën për karrierë, por të ftoj të kuptosh momentin në të cilin ndodhemi. Nuk të bën nder t’i vësh fytyrën këtij momenti. Po të isha në vendin tënd do jepja dorëheqjen. S’do bëja si fëmijë që qurravitet siç bënte Taulanti që nuk po kërkon motër, por kërkon të bëhet i rëndësishëm. Është mësuar të tallet me foltoret, ndaj tani në shesh ka qindra mijëra protestues. Taulant ndoshta sheh ëndrra me sy hapur se është i rëndësishëm, ose ndoshta e ka për konsum të brendshëm. Ndaj, Sofjan të ftoj të mos bësh si Taulanti, as si shoku Bido, që paska zbuluar dy veta që qënkan në shërbim të Fredi Belerit te protesta.

Balla: Unë kam pasur një rregull që me deputetët e rinj nuk bëj replikë, por një gjë nuk e pranoj, ti djalë je një pasanik i madh. Ndër më të pasurit këtu. Sepse vjen nga një familje që ka ndërtuar aq shumë në Tiranë, madje je nga ata që ke ndërtuar dhe pa leje. Vjen këtu jo si përfaqësues i shoqatës së ndërtuesve. Ia ke marrë shpirtin parqeve, vjen si zëdhënës i shoqatës së ndërtuesve, ndërkohë nuk të kam pasur në radar, por prej sot do të të fus dhe t’ua tregoj shqiptarëve kush je… Marksi mund të ketë qenë filozof i mirë, por teoritë e tij politike kanë vdekur bashkë me të. Ti shkon atje dhe gënjejnë ata dhe u thua që vjen në parlament për të mbrojtur mjedisin, ti je nga ata që mjedisit i ke marrë shpirtin.

Bido: Sot kur po flisja për Marksin dhe Smithin, pashë që patjetër që unë gjykoj se zoti Muçi ishte Marksi, patjetër kryetari Peleshi gjykoi se zoti Muçi ishte Marksi, ajo që përfaqëson pra bindjen dhe ideologjinë e Marksit, por vetë zoti Muçi ishte ai që kërkoi replikë në emër të Marksit, këtu është problemi.

Problemi është që jeni dy fytyrësh, në kuptimin e qëndrimeve sipas interesit të radhës dhe kjo quhet mungesë bindjesh dhe quhet populizëm. Sa për termin që thatë qafë më qafë. Unë kam pasur dy prindër të nderuar të cilët më lanë shumë gjëra në jetë, parimet, bindjet, idetë dhe kokëfortësinë, dëshirën për arsim, dëshirën për të lexuar dhe më lanë dhe diçka tjetër, më lanë raportin tim me paranë, që nuk më intereson shumë paraja, nuk më intereson shumë paraja, nuk më intereson shumë paraja.

Qafë më qafë unë s’kam qenë kurrë se jam njeri bindjesh. Qafa nga ju keni kaluar me ato kostume të shtrenjta dhe qafa ku jeni sot me bindje të kundërta nga ato që përfaqësoni është dyfytyrësia juaj.

Debati për projektin e Zvërnecit u zhvendos sot në Parlament, ku Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, u është përgjigjur kritikave të deputetëve të opozitës gjatë një interpelance. Jaupaj garantoi se qeveria mbetet tërësisht e angazhuar për mbrojtjen e natyrës dhe sqaroi se projekti do t’i nënshtrohet një analize të thelluar mbi ndikimin në mjedis (VNM).

Sipas ministrit, statusi aktual ligjor i zonës lejon ndërhyrje të kontrolluara ekonomike, duke synuar një balancë mes zhvillimit dhe ekologjisë. Ai shtoi se as direktivat e Bashkimit Evropian nuk parashikojnë bllokime automatike, por kërkojnë respektim rigoroz të habitateve.

Askush s’mund të vërë në dyshim angazhimin tonë për natyrën sepse është i matshëm. Është debat i shëndetshëm dhe i nevojshëm, por duhet të mbështetemi te faktet, ligjet dhe shkenca.

Së pari, janë ngritur pretendime se procedura mjedisore është anashkaluar. Faktet tregojnë se pas shqyrtimit të dokumentacionit, u vendos që duhet t’i nënshtrohet procedurës së thelluar të ndikimit në mjedis, pra është aktivizuar niveli më i lartë i legjislacionit. Projekti do t’i nënshtrohet një analize të plotë. Me fjalë të tjera, shteti shqiptar ka vendosur që vendimmarrja mjedisore të vendoset mbi evidencën shkencore. Është pikërisht garancia që mbrojtja e natyrës duhet të bazohet mbi fakte, studime dhe vlerësime profesionale.

Statusi i zonës së mbrojtur. Zona e Pishë-Poros është shpallur zonë e mbrojtur, kategoria V që nuk është rezervë strikte natyrore. Filozofia bazohet mbi bashkëjetesën e natyrës dhe aktivitetit ekonomik e social. Mbi zonat e mbrojtura mund të ekzistojnë qendra banimi etj. Ligji shqiptar nuk vendos ndalime, por kushte sesi duhet të realizohen.

BE kërkon respektimin e direktivës së habitateve dhe shpendëve. Projekti të zhvillohet në bazë të ndikimit konkret që mund të ketë. Nenet kërkojnë vlerësim të përshtatshëm të ndikimit dhe jo ndalim automatik,” u shpreh Jaupaj.

redi muçi i kërkon dorëheqjen ministrit

4 Komente

  1. A
    Anna Anna

    Mendoni se çfarë idiotësh ka parlamenti shqiptar ???????? Ka : Taulant Ballën,Ardit Bidon...të dy mashtrues gënjeshtar imoral gangster....mjerë Shqipëria jonë kur drejtohet nga këta gangsterë

    1. L
      Lira

      Tallen me popullin kto edhe pak

      1. A
        Ana

        Packa se Tao nuk me pelqen kesaj radhe ketij Redi Mucit i beri haken, i perplasi te verteten ne fytyre. Tung.

        1. Z
          Zoto Kanina

          Baulant Palla qe ka shkretuar pyjet e Librazhdit

          Lini një Përgjigje