Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi në Kuvend se protestat që po zhvillohen në vend nuk lidhen vetëm me kundërshtimin e investimeve në Zvërnec, por përfaqësojnë pakënaqësinë e qytetarëve ndaj një sistemi që, sipas saj, po i detyron shqiptarët të largohen nga vendi.
Tabaku tha se protestuesit po kërkojnë ndryshim dhe se mesazhi i tyre duhet të dëgjohet si nga opozita, ashtu edhe nga qeveria.
“Ata sot protestojnë për një realitet, atë që kanë përjetuar vite me radhë, që ky parlament dhe PS nuk i përfaqëson më, protestojnë se nuk duan të largohen. Kam që ditën e parë që shkoj në atë protestë dhe nuk ka pasur emocion më të madh se të kesh të rinj në krah që janë kundër asaj që po ndodh sot në Shqipëri.
Për 4 vite me radhë bashkë me kolegët e PD kemi kërkuar 14 shkresa për ligjin e zonave të mbrojtura, të investimeve strategjike etj., për të treguar që e ardhmja e Shqipërisë është në udhëkryq, që vendimet e qeverisë po e pengojnë Shqipërinë të ecë përpara në procesin e integrimit.
Sot është ngritur e gjithë Shqipëria në këmbë dhe ne duhet ta dëgjojmë, së pari ne si forcë politike dhe sigurisht që të jemi pjesë atje, por ta dëgjojë edhe qeveria me kërkesën e tyre legjitime për dorëheqje, me kërkesën e tyre legjitime për të ndryshuar Shqipërinë sot dhe ndryshimi fillon me largimin e PS”, tha Tabaku.
Lini një Përgjigje