Nga “miku i Ramës” te viktima e mediave, kthesa e Ron Yeffet; izraeliti përdor sërish Shqipërinë për të shpëtuar veten
Dosja amerikane e Ron Yeffet po bëhet gjithnjë e më interesante.
Jo vetëm për akuzat financiare që rëndojnë mbi biznesmenin izraelito-amerikan, por edhe për mënyrën se si ai po përpiqet të ndërtojë mbrojtjen e tij në gjykatë.
Sepse sa më shumë ecën procesi gjyqësor në Florida, aq më shumë del në pah një kontradiktë e madhe.
Në dokumentet me të cilat Mark Faist e paditi në mars të këtij viti, Shqipëria paraqitej si një nga mjetet kryesore që Yeffet përdorte për të impresionuar investitorin amerikan.
Sipas padisë, Yeffet e ftoi Faist në udhëtime me avion privat drejt Shqipërisë, e prezantoi me Kryeministrin Edi Rama dhe ambasadorin shqiptar në Francë, organizoi takime luksoze, autokolona me roje të armatosura dhe i krijoi përshtypjen se kishte akses të jashtëzakonshëm në nivelet më të larta të pushtetit.
Dokumentet përshkruanin një skenografi të kuruar me kujdes.
Një biznesmen që shfaqej si njeri me ndikim politik, me lidhje ndërkombëtare dhe me akses të privilegjuar në Shqipëri.
Madje, sipas padisë, Yeffet kishte shkuar deri aty sa të diskutonte mundësinë e sigurimit të një pasaporte shqiptare për investitorin amerikan, si pjesë e trajtimit ekskluziv që pretendonte se mund të ofronte.
I gjithë ky imazh, sipas Faist, shërbeu për të krijuar besim dhe për ta bindur të transferonte miliona dollarë në investimet që menaxhoheshin nga Yeffet.
Por ndërsa gjyqi po avancon, historia po merr një kthesë ironike.
Sepse njeriu që sipas dokumenteve përdorte Shqipërinë si kartë prestigji për të fituar besimin e investitorëve, tani po përdor Shqipërinë si pjesë të mbrojtjes së tij.
Në dokumentet e fundit të depozituara në gjykatë, Yeffet vazhdon të këmbëngulë se dëmi më i madh që ka pësuar nuk lidhet vetëm me konfliktin me Mark Faist.
Ai pretendon se publikimet që pasuan në Shqipëri, debati politik dhe jehona që mori historia e tij dëmtuan rëndë reputacionin dhe bizneset e tij.
Madje, sipas vetë pretendimeve të paraqitura në gjykatë, kjo situatë çoi në largimin e tij nga një projekt i madh zhvillimi në Shqipëri, nga i cili thotë se priste të fitonte më shumë se 30 milionë dollarë.
Pretendimi për humbjen e projektit në Shqipëri
Sipas qëndrimit të paraqitur nga avokatët e Yeffet, deklaratat e bëra nga Faist pas nënshkrimit të marrëveshjes mes palëve janë përhapur në komunitetin ku jetojnë dhe më gjerë, duke sjellë pasoja në marrëdhëniet e biznesit.
Në dokument thuhet se Yeffet pretendon se është hequr nga një marrëveshje investimi shumë milionëshe pikërisht për shkak të këtyre deklaratave.
Në pjesën që trajton zbulimin e provave, palët parashikojnë se gjatë procesit do të kërkohen:
-dokumente që lidhen me “Albanian Development” dhe grupin e investitorëve;
-dokumente që lidhen me largimin e Yeffet nga ky grup investimi;
-dokumente që lidhen me pretendimin e tij për fitime mbi 30 milionë dollarë nga pjesëmarrja në projekt;
-dëshmi nga investitorët e përfshirë në projektin shqiptar;
-dëshmi nga media shqiptare që kanë raportuar mbi pretendimet dhe akuzat publike ndaj tij.
Kjo tregon se Shqipëria nuk përmendet thjesht në mënyrë të tërthortë, por është pjesë konkrete e elementëve që pritet të hetohen gjatë fazës së zbulimit të provave në procesin gjyqësor.
Alibia mediatike
Një element tjetër i ri që del nga dokumenti lidhet me rolin e mediave në Shqipëri.
Avokatët e Faist parashikojnë se do të kërkojnë dokumente që lidhen me “entitete mediatike që operojnë në Shqipëri” dhe që kanë raportuar mbi deklaratat e konsideruara nga Yeffet si shpifëse.
Po ashtu përmenden edhe “përfaqësues të mediave shqiptare” si dëshmitarë të mundshëm në proces, me argumentin se raportimet e tyre janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale shqiptare.
Ky është një tregues se raportimet publike në Shqipëri mund të bëhen pjesë e shqyrtimit gjyqësor për të vlerësuar nëse kanë ndikuar ose jo në dëmin reputacional që pretendon Yeffet.
Konflikti
Në qendër të padisë kryesore mbetet pretendimi i Mark Faist se i ka transferuar Ron Yeffet dhe kompanisë së tij R&I Trading një total prej 8.61 milionë dollarësh për investime në pasuri të paluajtshme në Nju Jork.
Sipas Faist, ai nuk ka marrë asnjë fitim nga këto investime dhe vetëm 1 milion dollarë i janë kthyer në vitin 2025.
Ai pretendon se më pas palët nënshkruan një marrëveshje ku Yeffet pranoi detyrimin për të kthyer 7.61 milionë dollarët e mbetur plus interesat, por afatet e pagesës nuk u respektuan.
Për këtë arsye Faist kërkon nga gjykata detyrimin e Yeffet dhe kompanisë së tij për të paguar shumën e mbetur, së bashku me interesat kontraktuale.
Nga ana tjetër, Yeffet kundërshton pretendimet dhe argumenton se Faist ka shkelur marrëveshjen e konfidencialitetit mes tyre.
Sipas tij, Faist ka bërë deklarata publike ku e ka cilësuar si mashtrues, hajdut, kriminel dhe gënjeshtar, çka sipas biznesmenit ka dëmtuar rëndë reputacionin e tij.
Pikërisht mbi këtë bazë ai ka ngritur kundërpadi për shpifje dhe pretendon se dëmet e shkaktuara përfshijnë edhe humbjen e një projekti zhvillimi në Shqipëri, nga i cili, sipas tij, priste fitime që kalonin 30 milionë dollarët. /Pamfleti
Qerohu Edi Rama.Pisanjos qelbesire.Edhe per kete ndyresire qe ke partner qe i mban gatitu MINISTRAT e tu kemi info.Turp. Ke kohe shum pak te shpetosh si miliarde. Ne te kundert te burgu Peqinit do te qihet plaka