Gjykata e Posaçme po dëgjon dëshmitë e disa prej ish-zyrtarëve që morën pjesë në procedurat ligjore, administrative dhe politike që çuan në privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Procesi gjyqësor për dosjen “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe persona të tjerë, ka hyrë në një fazë të rëndësishme me dëgjimin e dëshmitarëve që kanë pasur rol në vendimet shtetërore të marra për ish-kompleksin sportiv në Tiranë.
Në seancën e së hënës, përpara trupit gjykues të Gjykatës së Posaçme janë thirrur disa ish-ministra, ish-drejtues institucionesh dhe ish-zyrtarë të administratës publike, të cilët SPAK i konsideron të rëndësishëm për zbardhjen e rrethanave që shoqëruan privatizimin e pronës.
Dëshmia e parë nisi me Violeta Shqevin, ish-drejtoreshë e sporteve në Ministrinë e Sportit. Shqevi foli lidhur me administrimin e aseteve sportive shtetërore, gjendjen e infrastrukturës sportive dhe diskutimet për privatizimin e objekteve sportive gjatë viteve 2008-2020.
Sipas dëshmisë së saj, ajo ka qenë e punësuar si juriste që prej vitit 2007 dhe më pas ka ushtruar funksione drejtuese, përfshirë edhe rolin e kryetares për hartimin e strategjisë së sportit për periudhën 2008-2020. Ajo tha se objektivat kryesore të strategjisë lidhen me zhvillimin e sportit elitar, përmirësimin e kushteve për sportistët dhe zgjerimin e infrastrukturës sportive në vend.
Duke iu referuar situatës së klubeve sportive, dëshmitarja shpjegoi se në vitin 2005 ishte miratuar një objektiv dyvjeçar për modernizimin e tyre. Sipas saj, klubi sportiv që administrohej nga ministria përgjegjëse për sportin përfshinte disa disiplina sportive, me përjashtim të futbollit.
Ajo deklaroi se klubi dispononte asete dhe godina të ndryshme sportive, përfshirë palestër gjimnastike, ambiente për mundje dhe peshëngritje, si dhe struktura të tjera sportive të vendosura në zonën pranë 21 Dhjetorit në Tiranë.
E pyetur nga prokurorët e SPAK-ut mbi regjistrimin e këtyre objekteve, Shqevi deklaroi se ato nuk kishin qenë të regjistruara. Sipas saj, Drejtoria e Sportit nuk dispononte informacion të plotë mbi statusin juridik të pronave, pronësinë e tyre apo raste të mundshme të zaptimit.
Gjatë dëshmisë u trajtua edhe nisma e vitit 2008 për ndryshimet në ligjin e sportit. E pyetur nëse kishte dijeni për diskutimet mbi privatizimin e objekteve sportive krahas koncesioneve, dëshmitarja konfirmoi se një proces i tillë ishte diskutuar në atë periudhë.
Sipas saj, grupet teknike të ngritura në atë kohë kishin si qëllim hartimin e një strategjie për zhvillimin e sportit dhe përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese. Ajo theksoi se institucionet sportive kishin shprehur shqetësim për mungesën e hapësirave sportive dhe kishin kërkuar që, në rast të privatizimit të objekteve ekzistuese, shteti të garantonte zëvendësimin e tyre me ambiente të reja.
Në dëshminë e saj, Shqevi deklaroi se mbështeste zgjerimin e infrastrukturës sportive dhe se ishte propozuar marrja si model e legjislacionit rumun për trajtimin e pronave sportive në rast privatizimi.
Dëshmia
Shqevi: Kam qene e punësuar si juriste ne 2007 dhe me pas kam qene në pozicionit. Kam qene ne rolin e kryetares për strategjinë e sportit për vitet 2008-2020. Qëllimi i strategjisë ishte për sportin elitar, përmirësime dhe rritje e infrastrukturës në vend. Në vitin 2005 ishte miratuar një objektiv 2-vjeçar për modernizimin e klubeve sportive. Klubi ishte nën përgjegjësinë e ministrisë së sporteve, e njoh si klub sportiv në atë kohë ne menaxhonim të gjithë klubin sportiv shumë sporte, përveç futbollit. Klubi kishte asest, kishte godina, gjimnastikën, ishte dhe një godinë tjetër që kishte mundje, peshëngritje.
SPAK: Ku ishin këto godina?
Shqevi: Ishin dy në qendër te klubit, si mund të themi poshtë 21 dhjetorit, si zonë.
SPAK: Sa palestra kishte?
Shqevi: Ishte palestra e gjimnastikës, po ashtu palestra e basketbollit dhe volejbollit. Në memorien time ishin palestrat e tjera.
SPAK: A kane qene te regjistruara?
Shqevi: Jo nuk kanë qenë të regjistruara, drejtoria e sportit s’ka pasur informacion të qartë për ekzistencën e ndonjë pronari, apo se ishin zaptuar. Unë u kam kërkuar eprorëve …
SPAK: Në qershor 2008 ministria e turizmit, shfaqet iniciatorë për ligjin për sportit, përveç koncesionit shfaqet dhe privatizimi, keni dijeni për këtë?
Shqevi: Po në atë kohë përveç klubeve do të bëhej edhe privatizimi i objekteve, në atë kohë një grup teknik do të bënte një strategji për përmirësimin e sportit. Kemi bërë përpjekje për rritjen e infrastrukturës, pasi ne ishim me infrastrukturë, shumë më të vogël për pjesën sportive. Ne kërkuam që nëse do të privatizohen, shteti duhet t’i zëvendësonte ato me hapësira të tjera. Ne ishim pro rritjes së infrastrukturës sportive. Ne kemi kërkuar zbatimin e ligjit rumun, nëse do të ndodhte privatizimi.
Mbrojtja: Ishit dakord me ndryshimet ligjore?
Violeta Shqevi: Unë përfaqësoja Drejtorinë e Sportit. Kam paraqitur mendimin tim dhe të aktorëve që punuan në këtë proces. Ne synonim ndërtimin e një qendre sportive dhe rritjen e infrastrukturës sportive. Kërkuam mbrojtjen e sportit sipas modelit rumun.
Mbrojtja: Ia paraqitët eprorëve këto qëndrime?
Violeta Shqevi: Po. Të gjitha janë të dokumentuara. Ia kemi paraqitur ministrit dhe zëvendësministrit.
Mbrojtja: Ju mendonit që të mos ndryshonte destinacioni i objekteve? Apo që pronarët të mos përfshiheshin në proces?
Violeta Shqevi: Ne kërkuam që të mos ndryshonte destinacioni. Gjithashtu kërkuam që të zbatohej ligji për kompensimin e metrave katrorë.
Mbrojtja: Ka një relacion për dërgimin e projektligjit të Sportit kur u çua në kuvend, është realizuar qëllimi i ministrisë suaj?
Shqevi: Qëllimi ishte të rritej cilësia sportive për zhvillimin e klubeve.
Klodian Skënderi, avokati i Malltezit: Keni pasur dijeni se në territorin e klubit ka pasur familje informale?
Violeta Shqevi: Po, kishim dijeni, por nuk e dinim numrin e tyre. Gjithashtu, nuk njihnim statusin juridik të pronarëve të parcelave të ndryshme.
Klodian Skënderi: A kishit dijeni për procedurat e privatizimit?
Violeta Shqevi: Nuk kisha asnjë informacion. Kishim shqetësime lidhur me lejet e ndërtimit, por nuk kishim asnjë informacion zyrtar për procedurat e privatizimit. Asnjë të dhënë për leje ndërtimi apo zhvillimi.
Mbrojtja sjell nje dokument, memo, me firmë te deshmitares, ku vetë ka shkruar shqetësimet
Violeta Shqevi: Nuk më kujtohet në detaje përmbajtja, por memoja mban firmën time. Kam pasur shqetësime dhe kam kërkuar regjistrimin e pronave të kompleksit “Partizani”, pasi ato nuk ishin të regjistruara. Kjo shkresë është firmosur prej meje dhe është hartuar mbi bazën e shqetësimeve të ngritura nga drejtuesit e klubit. Në të citohet edhe një vendim i KRT-së i vitit 2007 për një shesh ndërtimi.
Mbrojtja: Kjo shkresë ndodhej në ministri. A keni komunikuar ju për këtë çështje?
Violeta Shqevi: Nuk kam nënshkruar asnjë shkresë që lidhej me privatizimin. Kam qenë në territorin e klubit dhe gjendja ishte e rënduar, pasi prej vitesh nuk kishte pasur investime.
Dëshmitarët e thirrur
Një nga dëshmitarët më të rëndësishëm të ditës është ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli. Sipas materialeve të administruara në dosje, ai ka qenë një prej zyrtarëve kryesorë të përfshirë në procedurat që nisën menjëherë pas ardhjes në pushtet të qeverisë Berisha në vitin 2005.
Në atë periudhë, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Mbrojtjes nisën hapat për kalimin e pronës në duar private. Një nga vendimet që konsiderohet me ndikim në këtë proces ishte miratimi i ndryshimeve në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, të cilat ndryshuan disa procedura që lidhen me trajtimin e pronave shtetërore dhe privatizimet.
SPAK kërkon të sqarojë përse procedurat për privatizimin e ish-kompleksit sportiv, me një sipërfaqe prej rreth 26 mijë metrash katrorë në një nga zonat më të kërkuara të kryeqytetit, u zhvilluan me ritme të shpejta dhe cilët ishin faktorët që ndikuan në këtë proces.
Një pjesë e rëndësishme e hetimit lidhet me mënyrën e pagesës së vlerës së privatizimit.
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të 17 dhjetorit 2008, qeveria miratoi një ndryshim në metodologjinë e pagesës së objekteve që privatizoheshin. Deri në atë moment pagesa kryhej me para, ndërsa vendimi i ri parashikonte që 20 për qind e vlerës të paguhej në para dhe 80 për qind me bono privatizimi ose letra me vlerë.
Në procesverbalet e administruara nga SPAK është pasqyruar diskutimi mes ministrit të atëhershëm të Ekonomisë, Genc Ruli, dhe kryeministrit Sali Berisha gjatë prezantimit të vendimit. Gjatë debatit u diskutua përdorimi i letrave me vlerë si formë pagese dhe mundësia për t'u krijuar lehtësi ish-pronarëve që dispononin këto instrumente financiare.
Sipas dosjes hetimore, Berisha e vlerësoi ndryshimin si një zhvillim të rëndësishëm, ndërsa Ruli argumentoi se skema synonte t'u krijonte mundësi pronarëve të përdornin letrat me vlerë që zotëronin prej vitesh.
Një tjetër element që pritet të diskutohet në sallën e gjyqit lidhet me deklarimet që Genc Ruli ka dhënë në SPAK më 27 shtator 2022.
I pyetur nga prokurorët nëse kishte marrë kërkesa apo ndërhyrje nga persona të caktuar për përshpejtimin e procedurave të privatizimit, ish-ministri ka deklaruar se kërkesat kanë ardhur vetëm nga pronarët. Ai ka pohuar gjithashtu se në kohën kur u zhvilluan procedurat nuk kishte dijeni që Jamarbër Malltezi ishte një nga trashëgimtarët e familjeve që përfitonin nga kthimi i pronës.
Përveç ish-ministrave, në seancë janë thirrur edhe ish-zyrtarë të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Mes tyre është Tetis Lubonja, e cila ka mbajtur detyrën e përgjegjëses së sektorit juridik në këtë institucion. Në deklarimet e saj gjatë hetimit ajo ka pranuar se kishte njohje të mëparshme me Jamarbër Malltezin.
Gjykata do të dëgjojë edhe dëshminë e Altin Cenit, specialist në AKKP. Të dy kanë qenë pjesë e grupit të punës që ka shqyrtuar dokumentacionin dhe ka vlerësuar si të ligjshëm procesin e kthimit të pronës për ish-pronarët e territorit ku ndodhej kompleksi sportiv.
Në listën e dëshmitarëve figuron edhe Paro Laçi, ish-drejtues i klubit “Partizani”, i cili konsiderohet një nga personat që ka kundërshtuar publikisht procesin e lirimit të ambienteve të klubit.
Sipas materialeve të përfshira në dosjen e SPAK, Laçi ka deklaruar se persona të lidhur me procesin e privatizimit i kanë kërkuar të largohej nga ambientet e klubit. Në intervista të mëparshme televizive ai ka pretenduar se ka marrë presione dhe se i është ofruar një shumë prej 500 mijë eurosh për të mos kundërshtuar zhvillimet që lidhen me ish-kompleksin sportiv.
Dëshmitë e kësaj seance pritet të fokusohen në vendimet administrative, ndryshimet ligjore dhe procedurat e ndjekura nga institucionet shtetërore gjatë privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, një prej çështjeve më të rëndësishme që po gjykohet aktualisht nga Gjykata e Posaçme. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje