
Jos Leijdekkers, i njohur në të gjitha skedarët policorë si Bolle Jos, nuk është thjesht një trafikant i zakonshëm. Lindur më 1 korrik 1991 në Breda të Holandës dhe i rritur në Prinsenbeek, që në moshë të re hyri në botën e krimit falë kontakteve të babait, i cili kishte lidhje të dokumentuara me trafikun e drogës. Por ajo që e veçon Bolle Joes nga të tjerët është shkalla e operacioneve dhe zgjedhja për strehë. Sipas të dhënave të Europol, ky subjekt konsiderohet një nga lojtarët kyç të trafikut ndërkombëtar të kokainës.
Në Holandë dhe Belgjikë, Leijdekkers është dënuar në mungesë me gjithsej rreth 89 vjet burgim. Akuzat nga autoritetet holandeze përfshijnë trafikun e shtatë tonëve kokainë, një grabitje të armatosur, porositje vrasjeje dhe pastrim parash në shkallë të gjerë. Gjykatat holandeze kanë provuar se ky shtetas ka pastruar dhjetëra miliona euro dhe qindra kilogramë ar që vinin nga trafiku i kokainës. Por Bolle Joes nuk është më në Evropë. Burimet e DEA-s konfirmojnë se arratia nga Holanda ndodhi në vitin 2022 dhe që atëherë ka zgjedhur një vend që i ofron atij atë që pak vende të tjera mund t'i ofrojnë: mungesë ekstradimi dhe mbrojtje të nivelit të lartë.
Sierra Leone në Afrikën Perëndimore është streha aktuale. Ky vend nuk ka marrëveshje ekstradimi as me Holandën, as me Bashkimin Evropian. Bolle Jos e ka shfrytëzuar këtë boshllëk ligjor në maksimum. Sipas raportimeve të Guardian dhe Reuters, jeton atje nën pseudonimin Omar Sheriff dhe ka ndërtuar një rrjet të tërë logjistik për të lëvizur kokainën nga Amerika Latine në Evropë pa u ndaluar.
Rruga e kokainës sipas modelit "Bolle Jos"
Ajo që e bën Bolle Joes kaq të fuqishëm është infrastruktura personale e transportit. Sipas DEA-s të cilët kanë ndjekur prej vitesh operacionet e tij, ky trafikant nuk mbështetet në kontejnerë të rrezikshëm apo anije tregtare që mund të kontrollohen. Përdorimi i avionëve privatë është metoda e tij kryesore. Kokaina merret direkt nga Amerika Latine dhe transportohet me fluturime të drejtpërdrejta në Sierra Leone.
Ky vend afrikan, i njohur për korrupsionin e lartë dhe mbikëqyrjen e dobët kufitare, është pikënisja perfekte. Nga Sierra Leone, droga ridrejtohet drejt porteve evropiane. Europol ka njoftuar në disa raporte se kjo metodë i jep Bolle Joes një avantazh të madh ndër vite. Ndërsa kartelet e tjera humbin ngarkesa në Spanjë, Holandë apo Belgjikë, Bolle Joes ka krijuar një rrugë që anashkalon pothuajse të gjitha pikat e kontrollit. Por kjo rrugë nuk ka qenë pa konflikte.
Përplasjet me shqiptarët
Bota e trafikut të kokainës në Evropë ka qenë prej vitesh e dominuar nga grupe të fuqishme shqiptare. Dhe Bolle Jos, pavarësisht fuqisë, nuk ka mundur t'i shmangë dot përplasjet me to. Përgjatë viteve, kanë ndodhur përplasje të shumta me grupe shqiptare për shkak të prishjeve të pazareve. Sipas dosjeve të Europol-it të konsultuara nga mediat ndërkombëtare, në këto situata Bolle Joes njihet për ashpërsinë.
Leijdekkers ka hyrë në një aleancë të re me mafian marokene. Kjo lidhje ka ndryshuar ekuilibrat në tregun evropian. Por çdo aleancë e re sjell edhe tensione të reja. Dhe në këtë rast, burime të DEA-s të cilët kanë monitoruar lëvizjet e tij tregojnë se Bolle Jos është përfshirë në një konflikt të madh me grupe shqiptare. Shkak është bërë një ngarkesë e humbur kokaine. Nuk bëhet fjalë për një grabitje të thjeshtë, por për një prishje të rëndë besimi që ka lënë pas tensione të papara. Siç ndodh shpesh në këtë botë, kur ngarkesa humbet, fajtori duhet të paguajë. Dhe kur palët nuk bien dakord se kush e ka fajin, konflikti bëhet i pashmangshëm.
Lidhjet me pushtetin në Sierra Leone
Bolle Jos nuk mbijeton vetëm falë avionëve privatë dhe rrugëve të fshehta. Mbijeton sepse ka diçka që pak trafikantë e kanë: mbrojtje në nivel shtetëror. Raportimet e Guardian dhe Reuters kanë zbuluar se Leijdekkers është në marrëdhënie me Agnes Bio, vajzën e presidentit të Sierra Leones, Julius Maada Bio. Tre burime të pavarura të cituara nga Reuters pretendojnë se Bolle Joes është martuar me të. Dhe provat vizuale nuk mungojnë.

Në një video të postuar në Facebook nga Zonja e Parë e Sierra Leones, Leijdekkers shihet më 1 janar 2025 në një meshë në Tihun. Aty ai rrinte ulur vetëm dy rreshta pas presidentit, pranë vajzës së tij. Për dikë që është në listat e të kërkuarve të Europol, kjo nuk është thjesht një arritje. Është një demonstrim force.

Falë këtyre lidhjeve, Bolle Jos lëviz i lirë në Freetown. Ka krijuar një rrjet droge në vetë Sierra Leone dhe dyshohet nga burime të DEA-s se ka korruptuar zyrtarë të lartë lokalë për të siguruar mbrojtjen e operacioneve të tij. Për Holandën, kjo është një makth ligjor. Pa marrëveshje ekstradimi dhe me mbrojtje të nivelit të lartë brenda vendit, arrestimi duket pothuajse i pamundur.
Operacionet e dështuara të arrestimit
Holanda nuk ka qëndruar duarkryq. Në maj 2026, mediat holandeze raportuan se forcat speciale holandeze kishin përgatitur dy operacione për të kapur Bolle Jos në ujërat ndërkombëtare pranë Sierra Leones. Planet ishin të miratuara nga kabineti i ri i kryeministrit Rob Jetten, pas një refuzimi të mëparshëm politik. Por në momentin e fundit, të dy operacionet u anuluan. Arsyeja zyrtare: faktorë të jashtëm. Por burime brenda aparateve të sigurisë të konsultuara nga Reuters sugjerojnë se Holanda u tërhoq për shkak të presioneve diplomatike dhe rrezikut të një incidenti ndërkombëtar.
Kaq i fuqishëm është bërë Bolle Joes. Jo vetëm që lëviz lirshëm në një kryeqytet afrikan, por është bërë aq i mbrojtur sa një shtet evropian e mendon dy herë para se të veprojë kundër tij.
Megjithatë, drejtësia evropiane nuk e ka harruar. Në qershor 2025, një gjykatë në Rotterdam e urdhëroi atë të kthejë mbi 96 milionë euro fitime të paligjshme. Në Belgjikë, ka marrë 7 vjet burgim për importimin e mbi 100 kilogramë kokainë. Dhe Holanda vazhdon të ofrojë një shpërblim prej 200 mijë eurosh për këdo që jep informacion vendimtar për vendndodhjen e tij. Europol e ka përfshirë atë në listën e të kërkuarve prioritare në të gjitha shtetet anëtare.
Por për një njeri që operon në shkallën e Bolle Joes, këto shuma janë të parëndësishme. Avionët privatë, lidhjet presidenciale dhe mungesa e ekstradimit e bëjnë atë praktikisht të paprekshëm.
Lidhja e fundit me 40 tonët në Spanjë
Në maj 2026, gazeta The Sierra Leone Telegraph raportoi se Bolle Jos dyshohet të ketë organizuar një dërgesë rekord prej mbi 40 tonë kokainë që Guardia Civil spanjolle kapi jashtë brigjeve të Afrikës. DEA nuk ka konfirmuar zyrtarisht këtë lidhje, por burime të agjencisë të cilët kanë folur në kushte anonimiteti nuk e kanë mohuar mundësinë. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë shkalla e operacioneve të tij është edhe më e madhe nga sa mendohej. Avokati i Leijdekkers i ka mohuar këto akuza, duke i cilësuar thashetheme. Por në botën e trafikut ndërkombëtar, aty ku ka tym, zakonisht ka zjarr.
Bolle Joes vazhdon të jetë i lirë. Në Sierra Leone rregullon aleanca me marokenët, zgjidh konfliktet me shqiptarët për ngarkesa të humbura dhe drejton një nga perandoritë më të mëdha të kokainës në botë. Dhe për sa kohë që Sierra Leone të mos ndryshojë qëndrim, ai ka shumë të ngjarë të qëndrojë atje i pathënë. Ndërkohë, Europa e kërkon por nuk e gjen. Dhe pazaret e prishura me njërin nga trafikantët më të rrezikshëm në botë vazhdojnë të lënë pas tensione që trondisin tregun e drogës në të dy anët e Atlantikut, sipas vlerësimeve të fundit të Europol dhe DEA. /Pamfleti
Lini një Përgjigje