Sani Sanilevich, konsull nderi i Shqipërisë në Izrael dhe personi që publikoi 'presionet' e Netanyahut ndaj Edi Ramës, po zhvillon investime të shumta në Shqipëri. Sipas “TheMarker”, ai po punon edhe për ngritjen e një spitali në vend. Ai fshihet edhe pas Jet Bank dhe kompanisë që do të ndërtojë datancenterin...
Në fund të muajit maj, drejtuesit më të lartë të Qendrës Mjekësore Hadassah vizituan zonën e Sharonit Jugor në Izrael për një aktivitet të organizuar nga biznesmeni Saniel (Sani) Sanilevich në kantinën e tij të verës, “Sanilevich Winery”.
Nuk ishte hera e parë që Sanilevich organizonte aktivitete të rëndësishme në këtë kantinë të ndërtuar në tokë bujqësore. Në shkurt 2025, në të njëjtin ambient u mbajt aktiviteti vjetor për promovimin e turizmit mes Izraelit dhe Shqipërisë.
Arsyeja e pranisë së drejtuesve të Hadassah ishte emërimi i fundit i Sanilevich si kryetar i Bordit të Besuarve të Hadassah International Israel, struktura që merret me mbledhjen e fondeve për organizatën amerikane sioniste Hadassah dhe për vetë qendrën mjekësore.
Por sipas gazetës ekonomike izraelite TheMarker, interesat e Sanilevich në sektorin e shëndetësisë nuk kufizohen vetëm te filantropia.
Gazeta zbulon se ai po bashkëpunon aktualisht me biznesmenen Yordana Ovadia për të ngritur një spital në Shqipëri.
Kjo do të thotë se ndërsa mbledh donacione për Hadassah, Sanilevich mund të jetë paralelisht duke kërkuar investitorë për një projekt privat spitalor në Shqipëri.
Ovadia ka përvojë në këtë fushë. Ajo ka ndërtuar mes të tjerash dy spitale në Guinenë Ekuatoriale. Sipas raportit, ajo dhe Sanilevich kanë identifikuar Shqipërinë si një vend me nevoja të mëdha për investime në sistemin shëndetësor, në mënyrë të ngjashme me disa vende afrikane ku kanë operuar më parë.
Kush është Sani Sanilevich?
Në Izrael, Sanilevich zotëron pjesë aksionesh në dy bare të njohura në Tel Aviv dhe është partner biznesi i Tsahi Nahmias, një prej emrave më të fuqishëm të ekonomisë izraelite.
Kompania e tij e zhvillimit imobiliar dhe kompania AFI Properties e Nahmias zotërojnë secila nga 50% të një projekti të madh zyrash në Neve Ne'eman, me vlerë rreth 600 milionë shekelë.
Megjithatë, Shqipëria duket se është kthyer në një nga qendrat kryesore të interesave të tij.
Marrëdhënia me Edi Ramën
Sipas “TheMarker”, nuk është rastësi që Sanilevich dhe partnerët e tij kanë zgjedhur Shqipërinë.
Ai mban postin e konsullit të nderit të Shqipërisë në Izrael dhe prej rreth pesë vitesh ka krijuar marrëdhënie të afërta me kryeministrin Edi Rama.
Pikërisht kjo marrëdhënie u përmend edhe në investigimin e emisionit “Uvda”, i transmetuar javën e kaluar në Izrael.
Sipas investigimit, Edi Rama i ishte ankuar Sanilevich për presionet që, sipas tij, po ushtronte Benjamin Netanyahu për emërimin e Nicole Raidman, mikeshë e afërt e Sara Netanyahut, si konsulle nderi e Shqipërisë në Izrael.
Në të njëjtin investigim u publikuan edhe regjistrime audio ku vetë Sanilevich, i cili ka qenë këshilltar mediatik i Netanyahut rreth 17 vite më parë, dëgjohet duke thënë: “Kur punoja me Bibin, si i rrëzonim të gjithë? Ne ndërtonim dosje për këdo që na kërcënonte.”
Aktualisht ai nuk bën më pjesë në rrethin e afërt të Netanyahut, por sipas raportit vazhdon të ketë kontakte me figura të Partisë Likud.
Investime në turizëm, pasuri të paluajtshme, banka dhe siguri
“TheMarker” shkruan se Sanilevich ka krijuar tashmë një portofol të gjerë investimesh në Shqipëri.
Ai ka investime në sektorët e pasurive të paluajtshme dhe turizmit, ka qenë ndër themeluesit e një banke digjitale në Shqipëri (Jet Bank) dhe po punon për ngritjen e qendrave të të dhënave (data centers). Pra dy projekte të shumë debatuara.
Gjatë dy viteve të fundit ai është përfshirë edhe në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes në Shqipëri, në bashkëpunim me ish-gjeneralin izraelit Giora Eiland.
Sanilevich dhe Eiland kanë qenë gjithashtu të angazhuar në procesin që çoi në marrjen e autorizimeve nga autoritetet shqiptare dhe izraelite për nisjen e fluturimeve direkte turistike mes Tel Avivit dhe Tiranës nga kompanitë Sun D’Or dhe Israir.
Në aktivitetin e zhvilluar në kantinën e tij në shkurt 2025 u festua edhe inaugurimi i linjës direkte të fluturimeve të Sun D’Or drejt Shqipërisë.
Krahasimi me Jared Kushner
Sipas raportit, aktiviteti i Sanilevich në Shqipëri ngjan me planet e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili po promovon projekte turistike me vlerë rreth 1.4 miliardë dollarë në Shqipëri.
Gazeta vëren se Sanilevich duket se synon të investojë në të njëjtat zona, megjithëse shton se shumë nga projektet e tij ambicioze nuk janë materializuar ende plotësisht.
Burime që kanë bashkëpunuar me të e përshkruajnë si “një njeri të mirë me zemër të artë”, por njëkohësisht vërejnë se jo të gjitha planet e mëdha që ai shpall përfundojnë duke u shndërruar në projekte konkrete.
Sanilevich refuzoi të komentonte për artikullin.
Ndërsa nga Qendra Mjekësore Hadassah u deklarua se ai është zgjedhur kryetar i Bordit të Besuarve të Hadassah Israel dhe se aktivitetet e tij të biznesit janë të pavarura nga funksioni që ushtron në organizatë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje