TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 3 Qershor 2026, 17:39

Triumfi moral i punëtorëve të Birra Tirana bëhet edhe ligjor: a do t’i kthehen paratë?

Shkruar nga Pamfleti

Fitorja e vonuar e punëtorëve të Birra Tirana dhe buzëqeshja e të ndjerit Fatmir Pema...

Triumfi moral i punëtorëve të Birra Tirana bëhet edhe

Pas më shumë se gjashtë vitesh betejë, punëtorët fituan në gjykata atë që u ishte mohuar në fabrikë. Tani mbetet që shteti të kthejë edhe atë që pronarët ua morën me forcë, padrejtësi dhe abuzim.

Një nga betejat më epike në Shqipërinë që nëpërkëmb të drejtat e punëtorëve është ajo e punëtorëve të Birra Tirana.

Një nga qendrat industriale më të vjetra të vendit, ku bashkë me asetet ekonomike u dhunuan të drejtat, jeta, puna dhe shëndeti i mijëra punëtorëve.

Një kauzë që, për turpin e shoqërisë shqiptare, u la në hije, por që u ndoq hap pas hapi vetëm në faqet e Pamfletit.

Kjo ishte e vetmja media që solli betejën e hidhur dhe dramatike të punonjësve që u dhunuan dhe u larguan, u dëbuan dhe u degdisën dyerve të gjykatave, ndërsa shumë të tjerë përfunduan edhe në qelitë e komisariateve.

Madje u akuzuan si hajdutë dhe abuzues, kur në të vërtetë ishin mjeshtrat e një marke që Tiranës dhe Shqipërisë i kishte lënë emër.

Një betejë epike, që pati viktimat e saj. Që pati të vdekur në vendin e punës dhe të tjerë që u larguan nga kjo botë prej marazit, stresit dhe pasojave të mungesës së sigurisë teknike.

Siç ishte Fatmir Pema, heroi i betejës më shumë se gjashtëvjeçare të një kauze sindikale, të cilën nuk e mbrojti asnjë sindikatë.

Përveç Pamfletit, që u dha hapësirë punëtorëve të tregonin çfarë po ndodhte në fabrikë.

Sot, thuajse të gjithë punonjësit e Birra Tirana i kanë fituar gjyqet në të gjitha shkallët.

Ndërkohë, denoncimet e publikuara nga punëtorët në Pamflet për evazionin dhe abuzimet fiskale të pronarëve të Birra Tirana rezultuan të vërteta.

Pak ditë më parë u sekuestruan automjete dhe objekte luksoze në pronësi të personave që në ndërgjegjen e tyre mbajnë peshën e dhimbjeve, vuajtjeve dhe padrejtësive të shkaktuara ndaj mijëra njerëzve.

Dhe atje lart, Fatmir Pema bashkë me shokë të tjerë, ndoshta po e vëzhgojnë këtë moment duke buzëqeshur.

Duke u gëzuar për një fitore të madhe.

Një fitore që Fatmiri dhe shokët e tij ndoshta po e shijojnë me një gotë Birra Tirana bio dhe me ujë Selite, ashtu siç bënin dikur mjeshtrat dhe punëtorët e përkushtuar të atij kombinati ikonik që ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve.

Ndërsa të ashtuquajturit pronarë, që nëpërkëmbën jetë njerëzish dhe shkaktuan aq shumë brenga, sot janë ndër njerëzit më të urryer.

Deri dje shisnin mend dhe bënin karshillëk me makinat luksoze e në hotelet më të shtrenjta.

Por sot nuk i kanë më as ato.

Megjithatë, nuk janë të barabartë me ata që i nëpërkëmbën.

Sepse së paku nuk kanë me kë të pinë një gotë të ftohtë Birra Tirana në këto ditë të nxehta.

Ndryshe nga punëtorët, që ndoshta kanë ruajtur ndonjë shishe të bekuar për të festuar këtë fitore.

Një fitore që, edhe pse askush nuk ua transmeton në ekrane, ata po e shijojnë fort.

Sidomos në këtë vapë.

Sepse atë birrë e kanë bërë vetë, me mendjen, djersën dhe duart e tyre.

Ndërkohë, abuzuesit e kthyen fabrikën në gërmadhë, me synimin për ta bërë shesh ndërtimi.

Por, siç duket, përjetuan vetë një përshesh të madh.

Dhe kjo duket se është vetëm fillimi.

Megjithatë, shteti ka ende një detyrim.

Meqë u ka sekuestruar asetet pronarëve që nuk kanë paguar detyrimet, duhet të garantojë edhe shlyerjen e detyrimeve që ata kanë ndaj punëtorëve.

Punëtorëve, të cilëve edhe drejtësia ua ka njohur një për një padrejtësitë.

Kjo do të ishte fitorja e vërtetë.

Nëse Shqipëria dëshiron të quhet shtet europian.

Sepse në çdo vend të Bashkimit Europian është e paimagjinueshme që një punëdhënës të mos paguajë djersën, madje edhe gjakun e jetën e punëtorëve të vet./Pamfleti

 

birra tirana triumfi moral i punëtorëve

Lini një Përgjigje