TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 7 Qershor 2026, 19:03

Edi Rama sulmon protestuesit nga “foleja e krimit”

Shkruar nga Pamfleti
Edi Rama sulmon protestuesit nga “foleja e krimit”
Rama në Elbasan

Protestat masive nxjerrin nga vetja kryeministrin...

Protestat e qytetarëve duket se kanë nxjerrë nga shinat Edi Ramën. Me mijëra qytetarë po mbushin sheshin para Kryeministrisë nga dita në ditë dhe kjo duket se e ka alarmuar kryeministrin, i cili po gjen manovra dhe mënyra për të dalë nga situata.

Rama ishte sot në Elbasan, te "foleja e krimit". PS ka marrë historikisht mbështetje në këtë qytet nga bandat, të cilat madje kanë pasur dikur edhe deputetë. Për të mos folur pastaj për trafikantët që e mbajnë veten si biznesmenë që kanë marrë favore pa fund nga qeveria.

Gjatë aktivitetit për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, kreu i qeverisë sulmoi blogerët, influencerët dhe ambientalistët që kanë kundërshtuar projektin në Zvërnec dhe kanë ngritur akuza për korrupsion ndaj qeverisë.

Duke komentuar reagimet në rrjetet sociale dhe qëndrimet e figurave publike që kanë mbështetur protestën, Rama përdori një gjuhë ironike ndaj influencerëve.

"Na e tregojnë ne korrupsionin blogerët që nuk lënë para pa mbledhur duke treguar të gjitha anët e trupit, që unë i kam treguar pa lekë kur isha i ri dhe që nuk i japin 1 euro taksë shtetit shqiptar. Një euro taksë nuk paguajnë ata blogerë e influencerë", tha Rama.

Kryeministri hodhi poshtë edhe thirrjet për dorëheqje që prej ditësh dëgjohen në protestat para Kryeministrisë, duke i cilësuar si të pabazuara.

"Nëse ti je i shqetësuar për flamingot dhe natyrën, ti je i pari që duhet t’i bësh jehonë të vërtetave, jo manipulimeve. Ti duhet të jesh i pari që duhet të verifikosh të vërtetën mbi bazën e fakteve dhe jo të thuash duam dorëheqjen. Çfarë dorëheqje? Dorëheqjen nga misioni i Partisë Socialiste për të anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian?", u shpreh kryeministri.

Në një tjetër moment të fjalës së tij, Rama ironizoi drejtpërdrejt protestuesit që kanë përdorur flamingon si simbol të kundërshtimit ndaj projektit në Zvërnec.

"Kush do i dalë për zot Shqipërisë? Ata që mendojnë se mjafton të vishesh si flamingo dhe je seksi dhe do të vijnë të tjerët nga pas?", tha Rama.

Duke mbrojtur qëndrimin e qeverisë, kryeministri pretendoi se flamingot dhe fauna e zonës kanë qenë më të rrezikuara në të kaluarën sesa sot.

"Flamingot i priste pushka dhe horrat që kishin liri të bënin masakër në çdo vend ku kishte shpendë e kafshë. Horrat që e kishin mbushur detin e liqenet me tela korrenti. I vrisnin peshqit me tela korrenti", deklaroi ai.

Rama nuk kurseu as Mustafa Nanon, që e bëri dikur ambasador, por mjaftoi një kritikë e tij dhe Rama e linçoi publikisht duke treguar gjendjen ku është katandisur.

Na tregojnë ne tradhtarët disa analistë e gazetarë që paguhen me lekë nën dorë, nuk deklarojnë pagat e tyre. Shkojnë atje te Green Coast bëjnë pushime në mes të betonit dhe ju qajnë hallin Flamingove. Moral mua dhe PS të matet mirë kushdo që i bën. Ne nuk jemi të përsosur dhe pa gabime, por moral nga Mustafa Nano, i cili erdhi në zyrën time, u shtri atje në kolltuk dhe tha ‘nuk kam fuqi më të merrem me këtë vend, dua të shkoj ambasador’. ‘Po mirë’ i thashë ‘të shohim si mund të bëjmë për këtë.’ Kemi pasur shkrimtarë e poetë ambasador, Muçi i shkretë nuk është Faik Konica, por thashë... Muçi shkoi ambasador në Zvicër, nuk mbajti dot një zyrë ku ishte vetëm me veten e vet dhe një sekretare, nuk bëri dot një punë për vendin, e la në mes detyrën dhe kthehet mbrapsht dhe tregon se si duhet ta bëjmë ne detyrën dhe si duhet ta bëj unë detyrën. Tregon Muçi detyrën, tregon Muçi që oligarkët hyjnë mëngjes, drekë e darkë në zyrën time. Po ti mo Muç ça je, spiun i sigurimit je, ku e di ti kush hyn në zyrën time. Ku i ke parë ti, se ti ke qenë edhe demokrat denbabaden. Kur e bën Muçi këtë, llogarisni të tjerët”, tha mes të tjerash Rama.

Rama shkoi edhe më tej, duke e paraqitur qeverinë e tij si mbrojtëse të natyrës dhe të interesit publik, ndërsa kritikët si manipulatorë të opinionit.

"Ne nuk jemi tradhtarë, por shpëtimtarë të një vendi ku flamingot vriteshin me çifte për qejf", tha kryeministri.

Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur protesta për Zvërnecin po kalon përtej një kauze mjedisore dhe po shndërrohet në një lëvizje më të gjerë qytetare e politike. Ndërsa mijëra qytetarë vijojnë të mblidhen para Kryeministrisë dhe në qytete të tjera të vendit, kryeministri ka zgjedhur të përballet me kundërshtarët përmes ironisë dhe sulmeve të drejtpërdrejta, duke e ashpërsuar më tej debatin publik rreth projektit që ka ndezur protestat.

rama elbasan

Lini një Përgjigje