TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Qershor 2026, 20:06

“Poshtë patronazhistët”, protestuesit me mesazhe të forta për Ramën: Ti numëron votat, ne njerëzit që ikin

Shkruar nga Pamfleti
“Poshtë patronazhistët”, protestuesit me mesazhe të
Foto nga protesta

Thirrje për dorëheqjen e Ramës, kundër patronazhistëve dhe klasës politike, ndërsa qytetarët premtojnë se nuk do të tërhiqen

Protesta para Kryeministrisë po merr gjithnjë e më shumë tiparet e një lëvizjeje qytetare që bashkon breza dhe shtresa të ndryshme të shoqërisë. Në tubimin e zhvilluar këtë të diel nuk munguan fëmijët, familjet, të rinjtë dhe të moshuarit, në atë që pjesëmarrësit e konsiderojnë një nga protestat më qytetare të viteve të fundit.

Një nga momentet më emocionuese të tubimit ishte fjala e një fëmije, i cili nga podiumi përcolli një mesazh që u prit me duartrokitje nga turma e mbledhur para Kryeministrisë.

"Shqiptarët kanë luftuar në shekuj për Atdheun tonë! Pas gjithë këtyre sakrificave ne nuk ia shesim askujt tokat tona! Shqipëria është e jona!", tha ai.

Mes thirrjeve "Rama në burg", "Berisha në burg" dhe "Poshtë patronazhistët", protestuesit kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime të thella në mënyrën se si qeveriset vendi.

Në emër të brezit të ri foli edhe një protestues i ri, i cili tha se protesta përfaqëson shpresën për një Shqipëri ndryshe dhe një refuzim ndaj modelit aktual të zhvillimit.

"Kam dalë sot në shesh dhe çdo ditë sepse shoh dritë në fund të tunelit. Shpresoj se këtë vend mund ta bëjmë vetëm ne. Rama na tha nuk i doni investimet strategjike, e gabuar; tha nuk i doni turistët, e pavërtetë. Ne nuk duam investime që dëmtojnë natyrën tonë. Nuk duam investime që tjetërsojnë kulturën. Këto janë vlerat tona dhe këta jemi ne. Ka ardhur koha që populli shqiptar, rinia shqiptare të ndryshojë një koncept të gabuar e të kalbur. Duhet të ndërtojmë shtetin. Gjyshërit tanë kanë vuajtur komunizmin, baballarët kanë luftuar komunizmin, tani është radha jonë. Mos u dorëzoni", tha ai.

Vendosmëria për të vijuar protestën u shpreh edhe nga qytetarë që prej ditësh janë pjesë e tubimeve para Kryeministrisë.

"Të qëndrojmë deri sa ta largojmë. Edi Rama shko në burg", tha një protestuese.

Mesazhe të forta pati edhe ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit, i cili i ka cilësuar protestuesit me etiketime që kanë shkaktuar reagime të shumta.

"Jemi quajtur honxho-bonxho, pa tru, pa mend. E sot na se po bllokojmë turizmin. Por jo, je ti ai që rrethove Zvërnecin. A më thua dot se duhet të jem nga Zvërneci apo Rrjolli që të mbroj këto vende? Nëse nuk ke kurajë, të përgjigjem unë ty. Shqipëri quhet toka ku ka pasur shtëpinë. Ke kaq ditë që flet për kontrata. Trembëdhjetë vite më parë ke nënshkruar për mua. Dola në protestë më vonë, ju thamë arsimi është i dështuar. Ti numëron votat, e ne njerëzit që ikin", tha një qytetare.

Ndërsa protesta hyn në ditën e tetë, pjesëmarrja e familjeve, e të rinjve dhe e fëmijëve po i jep asaj një profil të ndryshëm nga protestat tradicionale politike. Nga sheshi para Kryeministrisë po artikulohen jo vetëm kundërshtime ndaj projektit në Zvërnec, por edhe kërkesa më të gjera për ndryshim politik, llogaridhënie dhe një Shqipëri që, sipas protestuesve, duhet t'u përkasë qytetarëve të saj.

Lini një Përgjigje