TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Qershor 2026, 18:04

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 18:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 18:00

Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore deri në këtë orë të ditës, ku ndër të tjera veçojmë:

Në fokus të zhvillimeve të ditës janë protestat kundër projekteve qeveritare, të cilat po sjellin përplasje të forta politike, ndërsa raportime mediatike flasin për mbështetje nga Bashkimi Evropian ndaj kërkesave të protestuesve dhe reagime të ashpra të kryeministrit. Në Kuvend, opozita ka depozituar kërkesa për shfuqizimin e katër ligjeve, të ngjashme me ato të artikuluara nga protestuesit.

Në GJKKO vijon gjyqi për çështjen e klubit FK Partizani, ku ish-ministri Genc Ruli dëshmoi se që në vitin 2005 kishte paralajmëruar kalimin e klubit te pronarët. Ndërkohë, është shtyrë pretenca për një fraksion të dosjes së Ilir Meta, ndërsa Monika Kryemadhi kundërshtoi hetimet financiare ndaj saj.

Në Kamëz, një konflikt i nisur gjatë një loje kalçetoje përfundoi tragjikisht me vrasjen e 27-vjeçarit Ardian Baloshi. Policia ka identifikuar si autor të dyshuar Sadik Llanajn dhe ka shpallur shpërblim për informacion që çon në arrestimin e tij.

Në Belgjikë, shqiptari Flamur Sinanaj, i njohur në trafikun e drogës me nofkën “Maradona”, u lirua nga burgu pas një marrëveshjeje me drejtësinë belge, duke pranuar fajësinë dhe duke paguar 1.5 milionë euro.

Në ekonomi, tregu i apartamenteve turistike në Shqipëri vazhdon të zgjerohet, por oferta po rritet më shpejt se kërkesa, duke sjellë ngadalësim të çmimeve dhe ulje të normave të zënies.

Në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje mbetet forca e parë politike, por pa shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë, duke e lënë vendin sërish përballë një ngërçi politik. Ndërkohë, Lumir Abdixhiku kushtëzon kompromisin me kandidimin e Vjosa Osmani për presidente.

Në arenën ndërkombëtare, liderët e Gjermanisë, Francës, Britanisë dhe Ukrainës i kanë bërë thirrje Vladimir Putin për armëpushim dhe negociata paqeje, duke paraqitur pesë kushte për një marrëveshje të qëndrueshme. Ndërkohë, pas sulmit të ri iranian ndaj Izraelit, Donald Trump bëri thirrje për rikthim në tavolinën e bisedimeve.

Së fundi, një tërmet i fuqishëm 7.8 ballë goditi jugun e Filipineve, duke shkaktuar të paktën tetë viktima, dëme të mëdha materiale dhe alarm për cunami në disa vende të rajonit të Paqësorit.

Lini një Përgjigje