Moti i keq dhe reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor në aksin Librazhd-Prrenjas, i cili u bllokua për rreth 40 minuta gjatë ditës së sotme.
Situata u krijua në afërsi të fshatit Xhyrë, ku një sasi e konsiderueshme balte dhe inertesh përfundoi në rrugë, duke penguar lëvizjen e automjeteve. Sipas informacioneve paraprake, problematika lidhet edhe me punimet që po zhvillohen në zonë për ndërtimin e Korridorit VIII.
Bllokimi i aksit shkaktoi radhë të gjata automjetesh në të dy drejtimet e lëvizjes, ndërsa drejtuesit e mjeteve u detyruan të presin deri në ndërhyrjen e autoriteteve.
Në terren janë angazhuar firma kontraktuese dhe ajo e mirëmbajtjes së rrugës, të cilat po punojnë për largimin e inerteve dhe rikthimin e qarkullimit normal. Një fadromë është vendosur në segmentin e prekur për pastrimin e baltës dhe materialeve të depozituara në rrugë.
Ndërkohë, probleme nga reshjet e dendura janë raportuar edhe në aksin Gramsh-Moglicë. Burime për Report TV bëjnë me dije se edhe ky segment rrugor është bllokuar për shkak të prurjeve të mëdha të ujit dhe inerteve që kanë zbritur në rrugë si pasojë e motit të keq.
Lini një Përgjigje