Në kërkesat në protestën e ditës së nëntë përfshihet krijimi i një Ministrie të Diasporës dhe hetimi çështjeve më të mëdha të tranzicionit shqiptar si Gërdeci dhe 21 Janari.
Një nga mesazhet më të forta të artikuluara gjatë protestës para Kryeministrisë ishte thirrja për krijimin e një qeverie teknike dhe refuzimi i gjithë klasës politike tradicionale. Nga podiumi, një prej protestuesve kërkoi largimin e kryeministrit Edi Rama, por njëkohësisht i bëri thirrje edhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, të tërhiqet nga drejtimi i opozitës.
Ai kërkoi gjithashtu që SPAK të hetojë në mënyrë të pavarur disa nga ngjarjet dhe dosjet më të debatuara të tranzicionit shqiptar, përfshirë Gërdecin dhe 21 Janarin. Sipas tij, protesta duhet të shkojë përtej kundërshtimit të qeverisë aktuale dhe të kërkojë përgjegjësi për të gjithë aktorët politikë që kanë qeverisur vendin ndër vite.
“Kasta e korruptuar politike e kuptoi se i ka ardhur fundi, Zvërneci u çlirua dhe zëri i popullit u çlirua, ka ardhur koha që lëvizjen tonë ta çojmë në shkallë tjetër kam krijuar këtë manifest. I bëjmë thirrje SPAK të hetojë Ramën për çdo ndikim politik, ekonomik apo administrativ mbi përdorimin e pasurive publike. Veprimet dhe deklaratat e këtij njeriu janë të Esat Pashës.
Duhet të hetohen Berisha dhe familje tij, të hapjen dosjet për non gratën nga SHBA, partneri jonë më i madh strategjik. Ky uzurpator ish-sekretar partie, non grata duhet të lerë postin e opozitës. Opozita është këtu. ‘Shqipëria nuk është e shqiptarëve’ sepse ‘shtëpia e shqiptarëve është zotit dhe e miku’, tha kryepalaçoja dje. Si guxon ky? Ai ju thërret juve delirantë. Saliu nga ana tjetër thotë të qajmë ne Sazanin, unë them që Rama dhe Saliu të qajnë lirinë. Largimi i tyre është i panegociueshëm. Populli të bojkotojë selitë e PS dhe PD, të ashtuquajturës opozitë që është bashkëpunëtore me të. Populli duhet të protestojë para selive të tyre dhe SPAK, që të ndiqen penalisht ndryshe populli shqiptar do e shohë drejtësinë palë me krimin. Sovrani të kërkojë qeveri teknike tranzitore të votuar nga populli. Ministrat duhet të jenë ajka e popullit shqiptar.
Ti japë mbështetje të plotë SPAK dhe BKH në hetimin e tyre, të hapjen dosjet e 21 janarit gërdecit, sterilizimit dhe të gjithë grabitjet që kanë bërë. Kjo qeveri (teknikja) të zbatojë nenin 8 të kushtetutës shqiptare, të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, të ngrejë ministrinë e diasporës, të krijojë kartën për shqiptarët kudo që ndodhën. Kjo qeveri teknike duhet të ushqehet nga dashuria për atdheun. Shqipëria e shqiptarëve, Shqipëria e shqiptarëve”, tha ai.
Lini një Përgjigje