TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Qershor 2026, 18:45

Sa më shumë sulme nga Rama, aq më shumë njerëz në shesh; rekord pjesëmarrjeje në ditën e 9-të të protestës

Shkruar nga Pamfleti
Sa më shumë sulme nga Rama, aq më shumë njerëz në
Pamje nga protesta

Mijëra protestues janë vendosur para Kryeministrisë në atë që konsiderohet një nga tubimet më të mëdha që nga nisja e lëvizjes. Ndërsa kryeministri dhe qeveria kanë shtuar sulmet ndaj protestës, pjesëmarrja duket se po rritet nga dita në ditë.

Protesta qytetare ka hyrë sot në ditën e saj të nëntë, ndërsa mijëra qytetarë janë mbledhur në Sheshin Skënderbej dhe më pas kanë marshuar drejt Kryeministrisë, duke e kthyer sërish bulevardin në qendrën e pakënaqësisë qytetare.

Ajo që bie në sy është se, ndryshe nga sa ndodh zakonisht me protesta të zgjatura, pjesëmarrja jo vetëm që nuk po bie, por po rritet. Sipas pjesëmarrësve, tubimi i sotëm mund të jetë ndër më të mëdhenjtë që nga nisja e lëvizjes.

Sa më shumë sulme nga Rama, aq më shumë njerëz në

Kjo po ndodh në një kohë kur kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të maxhorancës kanë shtuar përpjekjet për ta minimizuar protestën, duke e lidhur atë me dezinformimin, interesa politike apo ndikime të jashtme. Madje Rama ka shkuar deri aty sa ka filluar të tallë protestuesit dhe të sulmojë figurat publike që mbështesin revoltën

Por pamjet e ditës së sotme tregojnë se këto sulme nuk duket se po prodhojnë efektin e dëshiruar. Përkundrazi, sa më shumë protesta sulmohet, ironizohet apo etiketohet, aq më shumë qytetarë po i bashkohen asaj.

Në ditën e nëntë, protesta duket se ka kaluar tashmë kufijtë e kauzës fillestare. Ajo që nisi në Zvërnec si kundërshtim ndaj një projekti të caktuar po merr gjithnjë e më shumë tiparet e një lëvizjeje kundër gjithë kastës politike që ka dominuar vendin për dekada.

Këtë e tregojnë edhe thirrjet që dëgjohen sot para Kryeministrisë. “Rama ik”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Poshtë kasta politike” janë sloganet që dominojnë protestën, duke e zhvendosur fokusin nga një çështje lokale në një kundërshtim më të gjerë ndaj klasës politike.

Sa më shumë sulme nga Rama, aq më shumë njerëz në

Një tjetër element që bie në sy është shtrirja e mobilizimit. Në protestë marrin pjesë qytetarë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, çka tregon se lëvizja po tejkalon kufijtë e një reagimi lokal dhe po merr përmasa kombëtare.

Edhe një ditë më parë, pas përfundimit të tubimit, protestuesit marshuan për disa orë në rrugët e Tiranës, duke treguar se energjia e lëvizjes mbetet e lartë. Sot, me një pjesëmarrje edhe më të madhe, mesazhi që del nga bulevardi duket i qartë: pavarësisht sulmeve, talljeve apo përpjekjeve për ta delegjitimuar, protesta nuk po tërhiqet.

Përkundrazi, në ditën e saj të nëntë, ajo duket më e madhe se kurrë.

 

proteste rama

3 Komente

  1. K
    Koha

    Rama n'burg! Berisha n'burg! Rroftë nàna Shqiperi! Rroftë shqiptaria!

    1. H
      Hajduteve tu merret placka

      Shporru!

      1. P
        Pak nga të gjitha

        Aq shumë sa janë për burg me opinion nuk dalin gjithe kullat e Tiranës dhe Durrsit bashkë…

        Lini një Përgjigje