Ajo që nisi në Zvërnec si kundërshtim ndaj një projekti të vetëm po shndërrohet dita-ditës në një lëvizje kundër gjithë kastës politike. Protestuesit kërkojnë largimin e Edi Ramës, ndërsa në shesh dëgjohen edhe thirrje kundër Sali Berishës.
Protesta qytetare ka hyrë sot në ditën e saj të nëntë, ndërsa mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria janë mbledhur në Sheshin Skënderbej për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë.
Nëse në ditët e para në qendër të reagimit ishte Zvërneci, sot mesazhi i protestës duket qartësisht më i gjerë. Zemërimi nuk drejtohet më vetëm ndaj një projekti apo një vendimi të qeverisë, por ndaj asaj që protestuesit e konsiderojnë si kastën politike që ka qeverisur vendin prej dekadash.
"Rama ik", "Rama në burg, Berisha në burg" dhe "Rama jep dorëheqjen" janë thirrjet që dominojnë marshimin e sotëm në qendër të Tiranës.
Pikërisht ky transformim po e dallon protestën nga reagimet e tjera qytetare të viteve të fundit. Zvërneci mbetet shkëndija që ndezi revoltën, por kauza tashmë ka tejkaluar kufijtë e një beteje lokale dhe po merr tiparet e një lëvizjeje kombëtare kundër establishmentit politik.
Ndryshe nga ditët e para, sot në protestë kanë mbërritur qytetarë nga shumë zona të vendit, ndërsa mobilizimi është zgjeruar përtej Tiranës. Pjesëmarrësit flasin për një pakënaqësi që nuk lidhet vetëm me një projekt të caktuar, por me modelin e qeverisjes dhe mungesën e alternativave politike.
Numri i protestuesve është dukshëm më i madh se në ditët e para të lëvizjes. Sheshi Skënderbej u mbush që në orët e para të grumbullimit, ndërsa më pas turma u nis drejt Kryeministrisë nën thirrje kundër qeverisë.
Edhe protesta e një dite më parë tregoi se lëvizja nuk po humbet energji. Pas përfundimit të tubimit, qindra qytetarë vijuan marshimin për disa orë në rrugët e Tiranës, duke e kthyer kryeqytetin në qendër të protestës.
Ndërsa protesta hyn në ditën e nëntë, një gjë duket e qartë: ajo që nisi në Zvërnec nuk po mbetet më vetëm çështja e Zvërnecit. Për shumë nga pjesëmarrësit, beteja tashmë është zhvendosur në një përballje të drejtpërdrejtë me klasën politike që ka dominuar Shqipërinë në 35 vitet e fundit.
Lini një Përgjigje