Në tubimin e zhvilluar para Kryeministrisë, një prej protestuesve u bëri thirrje shqiptarëve të diasporës t'i bashkohen lëvizjes, ndërsa kërkoi organizim të përditshëm protestash në të gjitha qytetet e vendit.
“Ftojmë diasporën që të na bashkohet. Të largojmë antishqiptarin më të madh, Edi Ramën”, deklaroi ai para protestuesve.
Sipas organizatorëve, protestat nuk duhet të kufizohen vetëm në Tiranë. Ata propozuan që nga e hëna në të premte qytetarët të protestojnë në bashkitë e tyre, ndërsa fundjavat të shndërrohen në momente mobilizimi kombëtar në kryeqytet.
Ndërkohë, mesazhet e protestës po shkojnë përtej kërkesës fillestare për anulimin e projektit në Zvërnec. Në tubimet e fundit janë dëgjuar thirrje për “Qeveri teknike”, “Shqipëri e Re”, “Dorëheqje”, “Revolucion”, si dhe slogane kundër të gjithë klasës politike, përfshirë thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Opozitë e shitur”.
Kjo tregon se lëvizja po evoluon nga një kauzë lokale mjedisore në një platformë më të gjerë qytetare dhe politike, ku përveç mbrojtjes së territorit po artikulohen kërkesa për ndryshim të modelit të qeverisjes, transparencë dhe përfaqësim politik.
Pas nëntë ditësh protestash, organizatorët duket se synojnë ta shtrijnë mobilizimin në nivel kombëtar, duke e kthyer atë në një lëvizje që prek jo vetëm çështjen e Zvërnecit, por një sërë pakënaqësish të akumuluara ndaj qeverisë dhe sistemit politik në tërësi.
Lini një Përgjigje