TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Qershor 2026, 19:23

Fatos Lubonja i bashkohet protestës: Ta pastrojmë Atdheun nga ‘tumori’, nuk ka rrugë veç dorëheqjes

Shkruar nga Pamfleti
Fatos Lubonja i bashkohet protestës: Ta pastrojmë Atdheun nga
Lubonja

Analisti Fatos Lubonja iu bashkua protestës së qytetarëve para Kryeministrisë, duke deklaruar se pjesëmarrësit, pavarësisht bindjeve të tyre politike, i bashkon kundërshtimi ndaj asaj që ai e cilësoi si kapje të vendit nga krimi dhe oligarkët.

Në fjalën e tij, Lubonja u ndal te slogani që ka shoqëruar protestat e ditëve të fundit, "Shqipëria nuk është në shitje", duke argumentuar se ai përfaqëson refuzimin e një modeli zhvillimi që, sipas tij, favorizon interesat e një pakice të privilegjuar në dëm të interesit publik.

"Këtu jemi shumë dhe jemi të ndryshëm. Por na ka bashkuar një gjë që është më e rëndësishme, ajo parrullë: ‘Shqipëria nuk është në shitje’. Kuptimi i saj është kundër një Shqipërie të ndërtuar nga krimi dhe oligarkët. Unë nuk jam nga ata që bërtasin, por dua t’u them atyre që pyesin se çfarë është zhvillimi. A është zhvillim ai për oligarkët dhe me oligarkët? Ky nuk është zhvillim, por një tumor që po rritet në trupin e Shqipërisë dhe që duhet ta pastrojmë”, deklaroi ai.

Lubonja tha se protesta ka kaluar përtej një kauze të vetme dhe po shndërrohet në një reagim më të gjerë qytetar kundër mënyrës se si po qeveriset vendi. Sipas tij, mobilizimi duhet të vazhdojë deri në arritjen e objektivit politik të protestuesve.

"Do të qëndrojmë këtu derisa ta detyrojmë të japë dorëheqjen. Zvërneci na tregoi grabitjen e Shqipërisë. Nga ky shesh i bëj thirrje edhe SPAK-ut të na mbrojë nga ky projekt kriminal", përfundoi Lubonja.

Deklaratat e analistit u pritën me duartrokitje nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, ku prej ditësh po artikulohen jo vetëm kundërshtime ndaj projektit në Zvërnec, por edhe kërkesa më të gjera për ndryshime politike dhe institucionale në vend.

 

1 Komente

  1. r
    reg

    Bravo Lubonja, ma degjove llafin!

    Lini një Përgjigje