Tensionet mes Izraelit dhe Iranit po përshkallëzohen me shpejtësi, ndërsa autoritetet izraelite kanë vendosur masa të jashtëzakonshme sigurie në të gjithë vendin.
Qeveria izraelite ka urdhëruar mbylljen e të gjitha shkollave të hënën, pas sulmit me raketa balistike të ndërmarrë nga Irani ndaj territorit izraelit.
Komanda e Mbrojtjes Civile e Izraelit u ka kërkuar qytetarëve të qëndrojnë pranë strehimoreve dhe të jenë në gatishmëri për të zbatuar çdo udhëzim të ri të autoriteteve, mes frikës për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.
Ndërkohë, Tel Avivi ka paralajmëruar një kundërpërgjigje të fortë ndaj Teheranit. Sipas CNN, dy burime izraelite kanë deklaruar se Izraeli po përgatit një reagim “të fuqishëm” pas sulmeve të fundit me raketa.
Ushtria izraelite bëri të ditur se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë interceptuar të gjitha raketat balistike të lëshuara deri tani nga Irani. Sipas burimeve izraelite, të paktën 10 raketa janë neutralizuar gjatë valëve të sulmeve.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit deklaruan se operacionet për identifikimin dhe neutralizimin e kërcënimeve vijojnë pa ndërprerje.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka konfirmuar sulmet, duke pretenduar se raketat dhe dronët iranianë kanë goditur objektiva në veri të Izraelit. Në një deklaratë të fortë, Pasdaranët paralajmëruan se sulmet nuk do të ndalen me këtë operacion.
“Valët e raketave dhe dronëve do të vazhdojnë të lëshohen pa ndërprerje gjatë shtatë ditëve të ardhshme, derisa armiku të frenohet dhe të ndalojë krimet e tij. Çdo sulm ndaj territorit iranian do të përballet me një përgjigje shkatërruese dhe dërrmuese, përtej çdo pritshmërie. Ky operacion nuk është një ngjarje kalimtare, por fillimi i një jave të plotë sulmesh të vazhdueshme”, thuhet në deklaratën e Gardës Revolucionare.
Sipas Teheranit, valët e raketave dhe dronëve do të vijojnë gjatë shtatë ditëve të ardhshme dhe çdo goditje ndaj territorit iranian do të marrë një përgjigje shumë më të ashpër.
Lini një Përgjigje