
Protestës kombëtare kundër qeverisë iu bashkuan edhe qytetarët e Durrësit, të cilët u mblodhën këtë të hënë në sheshin para Bashkisë për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
Mes protestuesve kishte familje të shumta, prindër me fëmijët e tyre, të cilët mbanin pankarta dhe mesazhe kritike ndaj qeverisë. Gjatë tubimit nuk munguan as thirrjet kundër kryeministrit, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan dorëheqjen e tij.
Përmes pankartave, qytetarët ngritën një sërë shqetësimesh që lidhen me zhvillimet në qytet, duke përmendur projektin e Portit të Durrësit, prishjet e banesave për projekte zhvillimore, përmbytjet e përsëritura, gjendjen e sistemit shëndetësor dhe shembjet e fundit në zonën e Currilave.
Në mesin e protestuesve kishte edhe fëmijë, të cilët mbanin mesazhe që lidhen me çështje sociale dhe familjare, ndërsa organizatorët e cilësuan protestën si një reagim qytetar ndaj problematikave që, sipas tyre, kanë mbetur pa zgjidhje.
Tubimi në Durrës u zhvillua paralelisht me protestën në Tiranë, ku mijëra qytetarë marshuan drejt Kryeministrisë me thirrje si “Rama ik”, “Jep dorëheqjen” dhe “Revolucion”, duke kërkuar largimin e kryeministrit nga detyra.
Ndërkohë, edhe në Vlorë qytetarët iu bashkuan protestës kombëtare, duke shprehur pakënaqësitë e tyre për qeverisjen dhe duke kërkuar ndryshim.
Lini një Përgjigje