
Në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, qytetarët kanë sjellë një gomone, duke e kthyer atë në një simbol të emigracionit masiv që ka prekur Shqipërinë gjatë viteve të fundit.
Sipas protestuesve, gomonia përfaqëson mijëra shqiptarë që janë larguar nga vendi në kërkim të kushteve më të mira të jetesës dhe mundësive ekonomike jashtë vendit, ndërsa shumë prej tyre nuk janë rikthyer më prej vitesh.
Përmes këtij veprimi simbolik, pjesëmarrësit në tubim kërkuan të tërheqin vëmendjen ndaj fenomenit të emigracionit dhe pasojave që ai ka sjellë për familjet shqiptare dhe për vendin tonë.
Gomonia u vendos mes protestuesve që prej ditësh kundërshtojnë projektin në Zvërnec dhe kërkojnë rrëzimin e qeverisë, ndërsa mesazhi i tyre ishte se largimi i të rinjve dhe familjeve shqiptare mbetet një nga plagët më të mëdha sociale të vendit.
Në fund, protestuesit i vunë flakën gomones, veprim që përfaqëson revoltën ndaj kushteve që kanë detyruar mijëra shqiptarë të emigrojnë dhe të ndërtojnë jetën larg Shqipërisë.

Lini një Përgjigje