
Me pankarta që ndërthurin ironinë, humorin dhe kritikat e drejtpërdrejta, protestuesit përcollën mesazhe të forta kundër qeverisë, duke prekur tema si emigracioni, shëndetësia, investimet dhe largimi i të rinjve nga vendi.
Dita e tetë e protestës para Kryeministrisë është shoqëruar jo vetëm me thirrje dhe fjalime kundër qeverisë, por edhe me një numër të madh pankartash, përmes të cilave qytetarët kanë zgjedhur të përcjellin mesazhet e tyre në mënyrë të drejtpërdrejtë, ironike dhe shpeshherë thumbuese.
Të mbledhur me flamuj kuqezi në duar, protestuesit kanë shfaqur pankarta që prekin tema të ndryshme, nga investimet publike dhe shëndetësia, deri te emigracioni dhe largimi i të rinjve nga vendi.
“Nderto spitale dhe jo resorte, Shqipëria në mjerim, ti na flet për Ivankën”, shkruhet në një prej pankartave më të komentuara, ku protestuesit kritikojnë prioritetet e qeverisë.
Një tjetër pankartë përcjell mesazhin: “Pse të kemi frikë? Fusha është e jona”, ndërsa qytetarët theksojnë se protestat po zhvillohen në mbrojtje të interesit publik.

Kritika të forta janë adresuar edhe ndaj sistemit shëndetësor. “Onkologjiku s’ka ilaç, jetët nuk janë për t’u shitur”, lexohet në një prej pankartave të mbajtura nga protestuesit.

Në mesin e turmës nuk mungojnë as mesazhet që synojnë të mobilizojnë qytetarët për t’iu bashkuar lëvizjes. “Sot në shesh, nesër në histori”, shkruhet në një tjetër pankartë.

Fenomeni i emigracionit është një tjetër temë e pranishme në protestë. “U mbush kupa, po ikin të rinjtë”, thuhet në një prej mesazheve që pasqyron shqetësimin për largimin masiv të shqiptarëve nga vendi.
Disa pankarta i drejtohen edhe mbështetësve të qeverisë. “Turp ju që i shkoni mbrapa Ramës”, shkruhet në një prej tyre.

Ndërkohë, protestuesit kanë përdorur edhe ironi për të shprehur kundërshtimin ndaj projektit në Zvërnec. “Sot po dëboni flamingot, nesër do ju dëbojmë ne”, ishte një tjetër mesazh i shfaqur në protestë.

Nuk kanë munguar as pankartat me nota humori. Një protestues e ka krahasuar kryeministrin Edi Rama me një pelenë për fëmijë, duke shkruar: “Je bo për t’u ndërru”, mesazh që ka tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve dhe kalimtarëve.


Mes pankartave me tone ironike spikati edhe një mesazh që tërhoqi vëmendjen e protestuesve: “Shesim Ramën për 2 lekë”, një mënyrë satirike për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe kryeministrit.

Protesta para Kryeministrisë po vijon me qytetarët që kërkojnë ndryshim politik dhe mobilizim në ditët e ardhshme.

Kjo proteste ka nevoje per qendrese kazuse dhe qartesi. Duhet ta nxjerrin jashte nga zyra jashteqitjen e ketij kombi. Askush nuk duhet te pres qe Ramen e rrezon me lule dhe fjalime. Qytetaria per hajna si puna Rames eshte dobesi. Na vjedhin ne mes te dites per diell, na shesin, dhunojn e, perbuzin dhe ne duhet te sillemi ne menyre paqesore. Pse keshtu?! Nje pushteti arrogant nje lideri automrat duhet me ju pergjigj si e ka koken.