TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Qershor 2026, 17:48

Pacolli shpërthen ne akuza: Grupe të errëta po kontrollojnë Aeroportin e Vlorës!

Shkruar nga Pamfleti
Pacolli shpërthen ne akuza: Grupe të errëta po kontrollojnë
Behgjet Pacolli

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka bërë një tjetër reagim me situatën në Aeroportin e Vlorës, ku hedh akuza të forta, se sipas tij e kanë marrë në dorë ‘grupe të errëta të ndihmuara nga dikush’.

Pacolli shprehet në Facebook se që prej 18 majit, kompania dhe nënkontraktorët e saj nuk janë lejuar më të hyjnë në ambientet e aeroportit, ndonëse punimet ndodheshin në fazën përfundimtare të pastrimit dhe sistemimit të hapësirave të jashtme.

Sipas tij, terminali, infrastruktura dhe sistemet teknike ishin pothuajse gati për t’u vënë në funksion, ndërsa projekti ishte realizuar me një investim prej mbi 310 milionë eurosh.

Pacolli pretendon se kompania ka fituar edhe në Gjykatën e Lartë për çështjet kryesore që lidhen me projektin, por pavarësisht kësaj, vijon të mos ketë akses në aeroport.

Në reagimin e tij, ai ngre shqetësime edhe për atë që e cilëson si hyrje të personave të paautorizuar në ambientet e terminalit. Sipas Pacollit, ka informacione për dëmtime të inventarit, lëvizje materialesh dhe tentativa për përvetësimin e aseteve të aeroportit.

Ai kritikon gjithashtu mungesën e reagimit nga institucionet e drejtësisë, duke deklaruar se Prokuroria e Tiranës nuk ka dhënë ende një përgjigje për kallëzimet dhe provat e paraqitura nga kompania.

Pacolli apelon ndaj organeve kompetente që të hetojnë situatën dhe të garantojnë zbatimin e ligjit, duke e konsideruar çështjen si një test për sigurinë juridike dhe klimën e investimeve në Shqipëri.

“E kemi ndërtuar për të mirën e shqiptarëve, me shumë mund, sakrifica dhe para, jo për dikë tjetër”, shprehet ai në reagimin e tij.

Postimi i Pacollit:

Terminali dhe ndërtesat përreth të kryera. Ishim në fazën e pastrimit dhe dekorimit me gjelbërim kur, më 18 maj, na u mbyllën përfundimisht dyert, neve dhe nënkontraktorëve tanë. Nuk mundëm të hynim më.

Grupe jashtëligjore, me ndihmën e Policisë së Shtetit, na ndaluan hyrjen në një aeroport që e kishim ndërtuar me përkushtim, profesionalizëm, me mbi 310 milionë të angazhuara dhe dashuri për vendin.

Ne donim vetëm ta përfundonim dhe ta vinim në operim aeroportin. Gjithçka ishte pothuajse gati: terminali, infrastruktura, sistemet teknike, strukturat profesionale dhe menaxhimi ndërkombëtar nga Dublini.

Fituam edhe në Gjykatën e Lartë, e cila na dha të drejtë në të gjitha aspektet kryesore të çështjes. Megjithatë, edhe sot na thuhet se “pa vullnetin e qeverisë do të mbetemi jashtë”!

Jashtë aeroportit që kemi ndërtuar me mund, përkushtim e dashuri! 

Po... si po shkojnë gjërat, e vërteta është se, deri tani,

Ndërkohë, jemi zëvendësuar nga grupe të mbështetura nga interesat e grupeve të errëta të ndihmuara nga dikush!

Persona të paautorizuar hyjnë e dalin nga terminali, marrin materiale, dëmtojnë inventarin, vandalizojnë ambientet dhe, sipas informacioneve që marrim, madje tentojnë të disponojnë pasuri që nuk u përkasin e deri te shitja e aseteve, pa prezencën tonë!

Nga momenti kur po shoh dëshmitë se persona të paautorizuar, prej më shumë se pesë muajsh, hyjnë dhe dalin nga terminali (për ta shitur apo përvetësuar ilegalisht atë), pa praninë dhe autorizimin e pronarit, më dhemb shpirti! ????

Ai terminal është ndërtuar me profesionalizëm, me mund, me përgjegjësi dhe me një kosto të jashtëzakonshme financiare. Ai terminal ka edhe një Zot! Çdo hapësirë e tij mban gjurmën e punës së shumë qindra njerëzve dhe të një investimi të bërë me besim tek e ardhmja e Shqipërisë.

Tani këta njerëz janë të privuar madje të hyjnë dhe t’u dalin zot mjeteve dhe instrumenteve të punës që janë të bllokuara prej muajsh!

“E kemi ndërtuar për të mirën e shqiptarëve, me shumë mund, sakrifica dhe para, jo për dikë tjetër.”

Ajo që po ndodh sot nuk është vetëm një padrejtësi ndaj nesh apo ndaj kompanisë që përfaqësojmë.

Është një goditje ndaj sigurisë juridike, ndaj investimeve dhe ndaj besimit që çdo investitor duhet të ketë tek shteti dhe institucionet e tij.

Prokuroria e Tiranës hesht që nga shtatori, pa asnjë zhvillim në lidhje me kallëzimet dhe provat e paraqitura.

Gjatë një interviste në Prokurorinë Penale më është thënë një fjali që më shqetëson për drejtësinë në Shqipëri dhe këtë do ta mbaj për vete deri në ditën kur të botoj librin tim të ardhshëm.

Sot apeloj, në emër të interesit publik, në emër të drejtësisë shqiptare dhe në emër të shtetit ligjor, që organet kompetente të veprojnë sa nuk është vonë. Kjo nuk është më një çështje private apo një konflikt biznesi. Kjo është një çështje e respektimit të ligjit, e zbatimit të vendimeve të formës së prerë të gjykatave dhe e mbrojtjes së një investimi strategjik për Shqipërinë.

Apeloj që të hetohen me seriozitet të gjitha veprimet e grupeve që kanë krijuar këtë situatë. Jo për hakmarrje, jo për konflikt, por për të vërtetën, për ligjin dhe për interesin publik. Aeroporti i Vlorës është ndërtuar me dashuri, me krenari dhe me bindjen se do t’u shërbejë qytetarëve shqiptarë dhe zhvillimit të vendit, e jo për qejfet e interesat e askujt!

Kërkoj vetëm drejtësi, transparencë dhe mbrojtje nga grupet dhe bandat që, gradualisht, jo vetëm po tentojnë të përvetësojnë pronën tonë, por po cenojnë edhe të drejtën tonë themelore për siguri, dinjitet dhe mbrojtje ligjore.

Shpresoj që institucionet e shtetit të reagojnë, jo për mua (edhe pse më kërcënojnë), por për Shqipërinë, për rendin juridik dhe për besimin që qytetarët dhe investitorët duhet të kenë tek shteti e drejtësia.

behgjet pacolli aeroportin e vlorës

2 Komente

  1. T
    Tony

    Pacolli të shkoje të riparoje Oren e Kremlinit se vetem atë ka profession. E ka pohuar vete jo une.

    1. V
      Vili

      Te shohim cilet kane aplikuar ne "tenderin" per te rembyer aeroportin. Eshte e pafaleshme per gjykatesit e pa pergjegjshem qe kane mare persiper te shkaterojne kete investim per interesat e tyre private. Cudi si ben sehir qeveria.

      Lini një Përgjigje