
Para nisjes së marshimit nga sheshi “Skënderbej”, një prej të rinjve aktivë në organizimin e protestave ka folur për News24, duke shprehur pakënaqësinë e tij ndaj situatës politike në Shqipëri.
26-vjeçari tha se kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe heqjen e sistemit të patronazhistëve, të cilin e konsideron një nga problemet kryesore të vendit.
“Jam një i ri 26 vjeçar, kam mbaruar shkollën para disa vitesh dhe nuk jam i kënaqur me politikën në Shqipëri. Kërkoj dorëheqjen e Edi Ramës dhe të hiqen patronazhistët”, deklaroi ai.
Sipas protestuesit, tubimi do të nisë me fjalime në sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas me marshimin drejt Kryeministrisë dhe në rrugët e kryeqytetit. Ai shtoi se itinerari përfundimtar i protestës vendoset në kohë reale nga organizatorët dhe pjesëmarrësit në shesh.
Protestat kundër qeverisë kanë hyrë tashmë në ditën e 15-të, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e tyre edhe në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje