Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, ka dhënë dorëheqjen, duke thelluar tensionet brenda qeverisë së kryeministrit Keir Starmer. Shkak për largimin e tij është bërë mosmarrëveshja mbi nivelin e financimit të forcave të armatosura dhe vonesat në miratimin e Planit të Investimeve në Mbrojtje.
Në letrën e dorëheqjes drejtuar Starmerit, Healey shprehet se qeveria nuk ka treguar gatishmërinë e nevojshme për të financuar mbrojtjen kombëtare në një periudhë kur rreziqet globale janë shtuar ndjeshëm.
“Ti nuk ke qenë në gjendje, dhe Thesari nuk ka qenë i gatshëm, të angazhojë burimet që i nevojiten kombit për të mbrojtur vendin në këtë kohë kërcënimesh në rritje”, shkruan Healey.
Sipas ish-ministrit, një analizë e përbashkët e qeverisë, e përfunduar në muajin janar, kishte evidentuar qartë sfidat dhe rreziqet në rritje për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar, por angazhimet financiare të kërkuara nuk u materializuan.
Healey argumenton se situata ndërkombëtare është bërë edhe më e ndërlikuar muajt e fundit, duke përmendur konfliktin në Lindjen e Mesme, rritjen e aktivitetit rus kundër vendeve të NATO-s, përshkallëzimin e luftës në Ukrainë dhe angazhimet e reja ushtarake britanike.
“Kërkesat ndaj mbrojtjes janë rritur më tej, ashtu si edhe angazhimet e Mbretërisë së Bashkuar ndaj aleatëve”, thekson ai në letër.
Mosmarrëveshjet mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Thesarit britanik për financimin e ushtrisë kanë zgjatur prej muajsh, duke bllokuar përparimin e planit strategjik të investimeve ushtarake. Dorëheqja e Healey konsiderohet si një goditje politike për qeverinë e Starmerit në një moment të ndjeshëm për sigurinë ndërkombëtare.
My letter to the Prime Minister pic.twitter.com/j9z9nmLCb1
— John Healey (@JohnHealey_MP) June 11, 2026
Lini një Përgjigje